Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Dënime nën minimumin ligjor në rastet e vdekjeve dhe lëndimeve të rënda në vendin e punës

Skele

Kodi Penal parasheh dënime me burgim ndaj përgjegjësve, kur ndodhin vdekje a lëndime në vendin e punës. Por, bazuar në aktgjykimet e analizuara, vetëm një dënim është dhënë me burg, kurse të tjerat me gjobë edhe në raste kur mosmarrja e masave të sigurisë u ka kushtuar punëtorëve me jetë apo me invaliditet

Për punëtorët e lënduar rëndë në vend të punës, gjykatat kanë dhënë dënime ndaj përgjegjësve, nën minimumin ligjor. Bazuar në aktgjykime të publikuara në faqen e Këshillit Gjyqësor, kryesisht janë shqiptuar gjoba për veprën penale “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”.

Dënimet e këtilla janë dhënë, pavarësisht se Kodi Penal parasheh që në rastet me lëndim të rëndë trupor, dënimi të jetë në shkallën deri në 10 vjet burgim dhe nuk lë alternativë për gjobë.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Vetëm me një nga aktgjykimet e analizuara nga KOHA është shqiptuar dënimi brenda minimumit që parasheh ligji. Aktgjykimi është firmosur nga gjyqtari i Prizrenit, Fatmir Krasniqi, dhe i referohet rastit të një të mituri që ka mbetur me pasoja të përjetshme shkaku i lëndimeve në një mishtore në Gjonaj.

“I dëmtuari në ditën kritike ishte i moshës 15 vjeçare – i mitur, dhe i pandehuri me këtë rast ishte përgjegjës për sigurinë dhe shëndetin në vendin e punës së tij, që t’i instalojë pajisjet mbrojtëse, t’i mirëmbajë ato në gjendje të rregullt për punë... e të cilat nuk i ka ndërmarr, duke shkaktuar lëndim të rëndë trupor tek i dëmtuari A. M., me pasoja të përhershme për shëndetin”, thuhet në aktgjykim. 
Edhe ky aktgjykim nuk ka formën e prerë, meqë është në trajtim në Gjykatën e Apelit. 

Po kjo gjykatë, e ka kthyer në rigjykim rastin për një punëtor të vdekur, pasi në shkallë të parë i janë shqiptuar 15 mijë euro gjobë KEDS-it, ndërsa është liruar koordinatori i mirëmbajtjes, i akuzuar në këtë rast. 

Ndërkaq, në një tjetër rast, për vdekjen e punëtorit të kompanisë së ndërtimit “Fitorja”, shkaku i kontaktit me rrymën, dy të akuzuar u dënuan me nga 1.800 euro gjobë.

Kur punëtorët vdesin në vend pune shkaku që kompanitë nuk marrin masa mbrojtëse, ligji parasheh dënim deri në 12 vjet burgim. Në aktgjykimet e analizuara, asnjë dënim i këtillë nuk është shqiptuar.
Në Këshillin Gjyqësor kanë arsyetuar vendimet.

“Gjyqtarët ushtrojnë funksionin e tyre në mënyrë të pavarur, duke vendosur në bazë të provave të administruara dhe ligjeve në fuqi. Sa i përket çështjes së politikës ndëshkimore dhe lartësisë së dënimeve për veprën penale ‘Asgjësim, dëmtim ose heqje të pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikim i sigurisë në vendin e punës’, unifikimi dhe orientimi i praktikës gjyqësore është kompetencë e Gjykatës Supreme të Kosovës, e cila përmes buletineve, përmbledhjeve të praktikës gjyqësore dhe mendimeve juridike kontribuon në sigurimin e zbatimit të njëtrajtshëm të ligjit”, thuhet në përgjigjen e Këshillit Gjyqësor. 

Që prej fillimit të vitit kanë vdekur në vend të punës 9 punëtorë, i fundit nga të cilët javën që shkoi. 
Ministria e Punës ka ndërmarrë aksion të jashtëzakonshëm 15-ditor për t’i inspektuar vendpunishtet.
Bazuar në të dhënat e publikuara të dielën, gjatë 48 orëve të fundit Inspektorati Qendror i Punës ka ndaluar punën në 27 vendpunishte të ndërtimtarisë, e në më shumë se 100 sosh që nga fillimi i aksionit.

Eksperti për sigurinë dhe shëndetin në punë, Naim Bajraktari, thotë se aksioni nuk është i mjaftueshëm.

“Kemi 9 raste këtë vit për tre muaj, për 10 ditë 3-4 raste, kjo është jashtë çdo norme… Ky është një aksion 15 ditor që është shumë i qëlluar, por vetëdijesimi dhe mesazhi i tij është te punëdhënësit dhe tek Inspektorati. Këtu ka kontroll se sa po zbatohet ligji, nëse nuk zbatohet ligji duhet të vihen seksionet”, ka thënë Bajraktari.

Ka të dhëna të ndryshme për numrin e të vdekurve në vend pune gjatë vitit të shkuar. Sipas Inspektoratit, 19 punëtorë kanë humbur jetën e sipas Sindikatës së punëtorëve të sektorit privat, ky numër është mbi 30.