Arbëri

Shpërthen në parkingun e QKUK-së vetura private e u.d. së drejtorit

Vetura e dëmtuar nga shpërthimi në oborrin e QKUK-së

Vetura e dëmtuar nga shpërthimi në oborrin e QKUK-së

Foto: Driton Paçarada

Në parkingun e administratës së Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) ka shpërthyer vetura private e ushtruesit të detyrës së drejtorit të QKUK-së, Osman Hajdari.

Siç ka njoftuar Shërbimi Spitalor i Kosovës në Facebook, dëmtimi ka ndodhur në rrethana ende të panjohura. Në atë kohë po bëheshin përgatitjet për fillimin e mbledhjes së rregullt të Bordit Drejtues të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës, që parashihej të mbahej në hapësirat e administratës qendrore të SHSKUK-së.

Siç ka njoftuar SHSKUK-ja, për rastin është lajmëruar policia që ka nisur procedurat hetimore.

E Policia e Kosovës ka thënë se nuk ka pasur të lënduar.

“Rreth orës 10:00, është pranuar informata lidhur me dyshimet për një shpërthim në një veturë në parkingun e QKUK-së. Aktualisht nuk raportohet për të lënduar përveç dëmeve materiale. Policia me të gjitha njësitë relevante ka dalë në vendin e ngjarjes  dhe po trajton rrethanat që karakterizojnë ngjarjen”, thuhet në përgjigjen e Policisë.

Osman Hajdari, në një prononcim për media ka hedhur dyshime se akti lidhet me punën e tij zyrtare.

“Meqenëse në jetën time private nuk kam asnjë problem, as në të kaluarën, as tash, konsideroj që krejt ky akt është i lidhur më shumë me detyrën time zyrtare, me punët e mira dhe vendosmërinë për me vendos rregull e rend në QKUK. Dhe ndoshta kjo punë iu pengon grupeve të ndryshme të interesit, qoftë financiare, qoftë grupeve të tjera, të cilat mund të kenë lidhje ndoshta edhe me zyrtarë të QKUK-së edhe të tjerë, por jemi shumë të vendosur që punët e mira dhe punën e përgjithshme të cilën e kemi bë edhe vitin e kaluar, edhe këtë vit”, ka thënë Hajdari.

Ai ka shtuar se është i vendosur për t’i luftuar dukuritë negative dhe se sipas tij institucioni është vendosur tashmë në binar shumë të sigurt për zhvillim e stabilitet.