Një ditë pas deklaratës së kancelarit Scholz, presidentit Macron dhe kryeministres Meloni, në opozitë kanë thënë se pranimi i Asociacionit pa njohje de-jure përbën dështim. E, njohësit kanë vlerësuar se me deklaratë është vendosur balanca në dialog, meqë Serbisë i është kërkuar njohja de-facto e Kosovës
Njohës të çështjeve politike dhe opozita në Kosovë nuk kanë ndarë pikëpamje të njëjtë të shtunën, në lidhje me efektin në dialog që ka deklarata e përbashkët e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, presidentit francez, Emmanuel Macron dhe kryeministres italiane, Giorgia Meloni, me të cilën paralelisht thirrjes që i bëhet Prishtinës zyrtare për ta themeluar Asociacionin, i është kërkuar Beogradit ta bëjë njohjen de-facto të Kosovës.
Në opozitë kanë thënë se pranimi i Asociacionit pa njohje de-jure përbën dështim, e njohësit kanë vlerësuar se me deklaratë është vendosur balanca në dialog.
Analisti Akri Çipa i ka thënë KOHËS se përfshirja direkte e tre liderëve në dialogun me Serbinë dhe deklarata e tyre, do ta adresojë asimetrinë brenda bisedimeve për të cilën ka pasur vërejtje nga akterë të ndryshëm dhe nga kryeministri Albin Kurti. Kjo sipas tij, do ta imponojë edhe mënyrën se si përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell dhe emisari i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, do t’i qasen dialogut tutje.
“Përfaqësuesi i lartë Borrell dhe ndërmjetësi Lajçak, kanë qenë shumë me evazivë dhe e kanë pjesëzuar gjithë dialogun te çështja e Asociacionit, duke e vënë gjithë presionin ndaj Kosovës dhe duke mos kërkuar asnjë detyrim reciprok nga Serbia. Kjo ndryshon me qasjen e tre liderëve dhe tash mendoj se ndryshon pak edhe pozicioni i Kosovës në raport me dialogun, ku asimetria deri diku adresohet nga përfshirja e këtyre tre liderëve”, ka thënë Çipa.
Sipas tij, me kërkesën për njohjen de-facto të Kosovës, për herë të parë Serbisë do t’i kërkohen hapa konkretë, gjë që sipas tij, dialogun do ta bëjë një proces më të predispozuar për të ecur përpara në normalizim të marrëdhënieve në mes të dyja shteteve.
“Tash materializohen çështjet dhe obligimet të cilat duhet t’i ndërmarrë Serbia. Fjala vjen, njohja de-facto e Kosovës nga Serbia, një koncept që është përfolur dhe është diskutuar nga zoti Kurti, që e ka paraqitur atë si arritjen e marrëveshjes së Ohrit ose të udhërrëfyesit që doli nga ai diskutim, por që deri më sot nuk ka qenë e shkruar dhe e konkretizuar në mënyrën më të dukshme të mundshme”, është shprehur ai.
E analisti politik, Branislav Kërstiq, është shprehur skeptik se Serbia do t’i përmbahet kërkesës së Francës, Gjermanisë dhe Italisë për jetësimin e njohjes de-facto për Kosovën. Ai thotë se, së paku deri në përfundim të zgjedhjeve në Serbi, që pritet të mbahen në dhjetor, presidentit serb Aleksandër Vuçiq, nuk do të bëjë lëvizje në këtë drejtim.
“Ne e dimë që autoritetet ndërkombëtare me vite janë duke kërkuar nga Prishtina zyrtare krijimin e Asociacionit. Është kusht i parë. Në anën tjetër, Serbia e ka obligim ta sigurojë pranimin de-facto të shtetit Kosovës. Nga pozita e Beogradit zyrtar para se të kryhen zgjedhjet në dhjetor më duket që nuk do të kemi lëvizje në asnjë drejtim”, i ka thënë KOHËS Kërstiq.
Pas takimit që kryeministri Albin Kurti ka pasur të enjten në Bruksel me zyrtarë të lartë të BE-së dhe liderët e Gjermanisë, Francës e Italisë, ka thënë se e pranon draftin e statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, dokument ky i propozuar nga evropianët. E, një ditë më vonë theksoi në Prishtinë se dokumenti përmban dispozitën, sipas së cilës ai i nënshtrohet kontrollit kushtetues.
Por, Kërstiq thotë se pavarësisht gatishmërisë, Qeveria do ta nisë themelimin vetëm nëse merr garancë për njohjen de-facto nga Serbia.
“Ne e dimë që Beogradi dhe Prishtina nuk negociojnë asgjë. Nëse ndërmjetësit ndërkombëtarë garantojnë që Serbia është një hap para pranimit të pavarësisë së Kosovës, ajo do të thotë që kryeministri deri në fund të këtij viti, jam i sigurt që do të dalë me një draft të Asociacionit. Pa krijimin e Asociacionit, dialogu nuk ka asnjë kuptim. Ajo është pozita zyrtare e Beogradit dhe ajo pozitë nuk do të ndryshojë”, është shprehur Kërstiq.
E përfaqësues të partive kryesore opozitare i kërkuan transparencë kryeministrit Kurti për përmbajtjen e draftit të statutit për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, të përfshirë në planin e ri evropian, që pesëshja euro-amerikane ua dorëzoi Kosovës e Serbisë më 21 tetor.
Kryetari i Lidhjes Demokratike, Lumir Abdixhiku, i bëri thirrje kryeministrit që këtë draft ta shpalosë në Kuvend, teksa i adresoi kritikë për gatishmërinë e shprehur në Bruksel për pranimin e tij.
“Tani, yjet politike janë përplot ironi. Ato, arkitektit të mashtrimit, dhunës e përplasjeve njëdekadëshe ndërshqiptare i përcaktojnë fatin e bërjes së Statutit të Asociacionit për serbët dhe kështu zhbërjes së kauzës jetësore të tij. Çfarë fati i trishtë politik. Fati i tillë megjithatë nuk ka fare rëndësi. Rëndësi ka të kuptojmë atë që duhej ta kuptonim një dekadë më parë”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook.
Kritikë shprehu edhe nënkryetarja e Partisë Demokratike, Vlora Çitaku.
“Për vitet e humbura dhe mundësitë e pashfrytëzuara nga helmi i vjellë nga populizmi dhe oportunizmi i Kurtit do të flasim prapë. Tani Albin, pak transparencë për marrëveshjen dhe draftin e Asociacionit. Mos u fshih”, ka shkruar ajo, po në Facebook.
Por, tek ka folur në konferencën ndërkombëtare për shkencë, teknologji, biznes e Inovacion që është organizuar të shtunën në kolegjin UBT, kryeministri Kurti ka theksuar se liderët e mëdhenj i sakrifikojnë interesat e tyre për një kauzë më të madhe.
“Ajo që e bën një lider të madh, është gatishmëria për të sakrifikuar interesin e tij/saj për një kauzë më të madhe. Me fjalë të tjera, udhëheqësit e mëdhenj janë aq të përkushtuar ndaj parimeve të tyre dhe aq të vendosur për t’i mbrojtur ato parime në mënyrën më efektive të mundshme, saqë janë të gatshëm të dëmtojnë interesat e tyre personale për ta bërë këtë”, ka thënë kryeministri.
E ndryshe nga përfaqësuesit e tjerë opozitarë, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se dakordimi i Kurtit për draftin përbën një të arritur të madhe, por të vonuar për Kosovën.
“Ajo që ka ndodhë të enjten është që Kurti edhe Kosova me Amerikën e evropianët t’i zbatojnë ato për të cilat ka rënë dakord Kosova, të mos e presë Serbinë, të mos merret me Serbinë dhe vetëm të merret me amerikanët dhe ta hapin kontratën në NATO. Pra kjo na intereson neve, kontrata për NATO-n”, ka thënë Haradinaj.
Ai tha që megjithëse nuk e ka parë draftin, ka shprehur besimin se ky dokument e nënkupton një Asociacion në kuadër të Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës.
E Kurti, një ditë më parë ka theksuar se e respekton kërkesën e emisarëve për të mos folur rreth propozimit, por ka shtuar se drafti e përmban dispozitën që parasheh kontroll nga Gjykata Kushtetuese.