Arbëri

Dashiq: Muralet “Kur ushtria të kthehet në Kosovë” i financoi shteti i Serbisë

Veriu grafiti Kur ushtria të kthehet në Kosovë

Inxhinieri serb Danijel Dashiq ka thënë se institucioni i Auditorit të Shtetit në Serbi, gjatë një auditimi që ia ka bërë Ministrisë së Ndërtimit, Transportit dhe Infrastrukturës së këtij shteti, ka gjetur se ministria i ka shpenzuar 217 mijë euro për të vendosur muralet “Kur ushtria të kthehet në Kosovë”.

“Besoni ose jo! Gjatë auditimit të Ministrisë së Ndërtimit të Goran Veshiqit më 2024, Institucioni i Auditorit të Shtetit ka gjetur një artikull ‘pikturimi i hapësirave publike’ në vlerën 217 mijë euro”, ka shkruar ai në rrjetin social X. “Bëhet fjalë për grafitin ‘Kur ushtria të kthehet në Kosovë’ që ishte shkarravitur anembanë Serbisë e edhe më gjerë. Paguar nga Ministria. Porositur nga bordi ekzekutiv i SNS-së. Kontraktuesit e panjohur. S’ka faturë”.

Sipas tij, Auditori pas gjetjes e ka gjobitur Ministrinë me 109 mijë dinarë (rreth 1000 euro), shkruan Nova.rs.

Grafitë të tilla kërcënuese ishin shfaqur në masë të konsiderueshme në Serbi, por edhe në veri të Kosovës. Madje të tilla ka pasur edhe në Bosnje e në Mal të Zi.