Shefi i kabinetit të kryeministrit Albin Kurti, Luan Dalipi, ka reaguar pasi që zyrtarë të Partisë Demokratike e Kosovës (PDK), të premten tek e kanë kundërshtuar vendimin për daljen e disa bizneseve në treg të hapur të energjisë, kanë thënë se “njëra nga kompanitë që ka aplikuar për licencim për shitblerje të energjisë është MDA, kompani e themeluar nga ... Dalipi”.
Në një postim në Facebook, ai ka shkruar se kompania është e vëllait të tij dhe drejtohet nga ai.
“Dritoni s’është ministër, s’është këshilltar, s’është as roje tek dera – është thjesht një qytetar i lirë që pas 20 vitesh punë të suksesshme në biznes, ka vendos, para rreth 1 viti, me provu fatin në tregun e liberalizuar të energjisë, si çdo tjetër. Aplikoi ligjërisht, siç bëjnë njerëzit normalë”, ka shkruar Dalipi.
Ai ka thënë se vëllai i tij është qytetar i lirë dhe ka të drejtë të angazhohet në zhvillim biznesi, “si çdo qytetar tjetër në këtë vend”.
“Përgatitjet për të hyrë në tregun e energjisë së ripërtëritshme Dritoni e ka marr para rreth një viti, për mundësinë për të investuar në tokë private familjare. Tregtimi i energjisë është parë nga ai thjeshtë si mundësi për ta komplimentuar këtë tendencë për t’u zgjeruar në këtë sektor. Aplikimi për licencë është bërë në mënyrë të hapur, ligjore dhe të rregullt pranë ZRRE-së.
“Unë kam shërbyer me dinjitet dhe përkushtim në këtë Qeveri tash e katër vjet. Kjo nuk do të thotë që e gjithë familja ime ka hyrë në Qeveri. E as që duhet të paragjykohet për lidhje farefisnore me mua. Unë e inkurajoj Dritonin që të jetë sa më i suksesshëm në biznes, ashtu siç e bëj me secilin tjetër në sektor privat. Dritoni dhe cilido qytetar tjetër ka të drejtë të aplikojë për një licencë në tregun e liberalizuar të energjisë. Pastaj është çështje e tregut – ofertë e kërkesë – për ata që kuptojnë pak nga ekonomia. Nëse është konkurrues, do të kontraktohet nga kompani private. Asgjë më shumë, e asgjë më pak”, ka shkruar Dalipi.
Ai ka theksuar se liberalizimi i tregut të energjisë është vendim ekskluziv i Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), siç ka thënë ai, një organ i pavarur nga Qeveria që i raporton Kuvendit.
“Edhe pse sfidat janë reale, ky proces ka qenë i paralajmëruar që nga viti 2016”, ka shkruar Dalipi.
