Arbëri

CT-ja rregullohet pas 4 vjetësh, për mamografinë nuk ka mjete në Spitalin e Vushtrrisë

Pas rreth katër vjetësh jashtë funksionit të CT-së në Spitalin e Vushtrrisë, ajo është rregulluar dy muaj më parë. Mirëpo jo edhe aparatura e mamografisë. Ajo është jashtë funksionit tash një vit dhe vetë spitali nuk ka buxhet për ta rregulluar. Nga menaxhmenti thonë se do t’i drejtohen SHKUK-së për ndihmë

Të gjitha pacientet që drejtohen në Spitalin e Vushtrrisë për të kryer mamografi, tash një vit detyrohen të kthehen prapa pa kryer punë. Aparatura është jashtë funksionit që nga maji i vitit të kaluar.

Një paciente, që foli në kushte anonimiteti, tha se i duhet të kërkojë zgjidhje të tjera.

“Unë e kam vërejtur që kohëve të fundit nuk po ndihem mirë me shëndet. Shkova të bëj një kontroll dhe një mamografi. Para diku 10 ditësh kam shkuar në spital ta bëj, po më thanë që nuk po punon pajisja qe sa kohë, dhe nuk e di. D.m.th. më duhet të pres kur të lajmërojnë që e kanë rregulluar ose duhet të shoh dhe ta bëj diku tjetër”, ka thënë pacientja.

Aparatura është donacion nga Emiratet e Bashkuara Arabe, i bërë më 2016, kur edhe u përurua spitali.

Drejtoresha Shefkije Shatri thotë se institucioni ka në total 150 mijë euro për servisim të të gjitha pajisjeve, e vetëm për rregullimin e mamografisë janë kërkuar 78 mijë euro nga një kompani. Thotë se për shkak të kostos së lartë do të bëjë kërkesë në SHSKUK për ta shqyrtuar mundësinë e blerjes së një aparature të re apo për rregullimin e asaj ekzistuese.

“Mamografi ka shtatë – tetë muaj që është jashtë funksionit, mirëpo janë procedurat të cilat vetë natyra e procedurave na e bën të pamundur me shkurtu kohën për me u bë më herët. Jemi në proces dhe proceset shkojnë me verifikimin e komisionit. Të defektit. Janë rregullat e prokurimit mandej dhe është një zinxhir i tanë që do punë”, ka bërë të ditur Shatri

Në SHSKUK nuk kanë kthyer përgjigje nëse do të ndihmojnë me buxhet shtesë.

Kryerja e mamografisë në spitalet private kushton deri në 45 euro.

Ndryshe nga spitalet rajonale që kanë mungesë të stafit për Repartin e Radiologjisë, ai i Vushtrrisë ka katër mjekë radiologë, por është duke u përballur me defekte të aparaturave përkatëse.

CT-ja është rregulluar para dy muajsh, pas rreth katër vjetësh jofunksionale. Prej atëherë janë realizuar 78 shërbime. Edhe CT-ja për shkak të kostos së lartë është rregulluar me ndihmën e Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar.