Kosova është ftuar të bëhet pjesë e Bordit të Paqes, një organ i ri ndërkombëtar i iniciuar nga presidenti amerikan Donald Trump, i cili synon mbikëqyrjen e zbatimit të planeve të paqes në zonat e konfliktit, me fokus fillestar në Rripin e Gazës. Ftesë të ngjashme kanë marrë shumë liderë botërorë, përfshirë kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama. Franca dhe Norvegjia janë vendet e vetme që deri tash kanë refuzuar ftesën.
Sipas planit të paqes të Trumpit për Gazën, Bordi i Paqes përshkruhet si një “organ i ri ndërkombëtar tranzitor”, i cili do të ndihmojë në mbikëqyrjen e rindërtimit të enklavës palestineze. Anëtarët e këtij bordi pritet të jenë udhëheqës botërorë, me presidentin Trump në krye.
Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara e ka mbështetur zyrtarisht krijimin e Bordit të Paqes përmes një rezolute të hartuar nga SHBA-ja në muajin nëntor, duke i dhënë këtij mekanizmi peshë dhe legjitimitet ndërkombëtar.
Rezoluta i jep bordit mandat për të bashkëpunuar me qeveritë në rekrutimin e paqeruajtësve ndërkombëtarë për Gazën. Sipas dokumentit, bordi do të zbatonte planin e Trumpit në Gazë derisa Autoriteti Palestinez, i njohur ndërkombëtarisht, të përmbushë reformat e nevojshme institucionale.
Sipas statutit të propozuar, të siguruar nga The New York Times, Bordi i Paqes synon të “sigurojë paqe të qëndrueshme në zonat e prekura ose të kërcënuara nga konflikti”, jo vetëm në Gazë, duke bërë thirrje për krijimin e “një organi ndërkombëtar për ndërtimin e paqes më fleksibël dhe më efektiv”.
Lista e shteteve të ftuara përfshin Britaninë e Madhe, Jordaninë, Rusinë dhe vende të tjera, por deri më tani vetëm një numër i kufizuar shtetesh kanë konfirmuar gatishmërinë për t’u bashkuar.
Pavarësisht rolit mbikëqyrës mbi Gazën, as Bordi i Paqes dhe as Bordi Ekzekutiv për Gazën, i cili do të veprojë nën autoritetin e tij, nuk përfshijnë anëtarë palestinezë. Megjithatë, bordi pritet të mbikëqyrë punën e një grupi teknokratësh palestinezë, të ngarkuar me administrimin e shërbimeve publike në Gazë.
Analistët vlerësojnë se ky grup do të përballet me sfida të jashtëzakonshme, duke marrë parasysh se Gaza mbetet e ndarë mes zonave nën kontrollin izraelit dhe atij të Hamasit.
Disa shtete kanë shprehur skepticizëm, edhe për shkak të kostos financiare. Për të siguruar një vend të përhershëm në Bordin e Paqes, secili shtet do të duhej të paguante më shumë se një miliard dollarë brenda vitit të parë për financimin e funksionimit të këtij organi, ndonëse ekziston mundësia e anëtarësimit pa pagesë për një mandat trevjeçar.
Franca ka bërë të ditur se aktualisht nuk synon t’i bashkohet bordit, duke argumentuar se statuti i tij ngre pikëpyetje serioze lidhur me respektimin e rolit të Kombeve të Bashkuara.
Ndërkohë, në mesin e të ftuarve për t’iu bashkuar Bordit të Paqes është edhe presidenti rus Vladimir Putin. Mbetet e paqartë se sa shtete do të zgjedhin anëtarësimin e përhershëm me pagesë dhe sa do të pranojnë mandatin opsional trevjeçar pa kosto.
Po ashtu, ende nuk është e qartë shtrirja e mbikëqyrjes së Bordit të Paqes mbi Gazën dhe kohëzgjatja e mandatit të tij. Megjithatë, dy nënkomitete që raportojnë drejtpërdrejt te ky bord janë krijuar tashmë për të zbatuar planin e Trumpit.
Javën e kaluar, Shtëpia e Bardhë emëroi Bordin Ekzekutiv për Gazën, i cili përfshin Jared Kushnerin, dhëndrin e presidentit Trump, si dhe Steve Witkoffin, të dërguarin e tij të posaçëm. Në këtë bord marrin pjesë edhe zyrtarë nga Katari dhe Egjipti, si dhe një biznesmen izraelit.