Arbëri

Çitaku: Zgjedhjet e reja të pashmangshme, mund të mbahen në fund të vitit

Vlora Çitaku

Foto: EO

Zgjedhjet e reja parlamentare janë të pashmangshme dhe mund të mbahen në fund të vitit 2025, thotë sekretarja e përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku.

Ajo në një intervistë për KosovaPress thekson se në krizën aktuale politike, zgjedhjet e reja janë të paevitueshme, mirëpo fillimisht duhet të pritet vendimmarrja e Gjykatës Kushtetuese se çfarë hapa duhet të ndërmerren për Kuvendin e Kosovës. Megjithatë, ajo shton se teknikisht është e pamundur që zgjedhjet e reja parlamentare të mbahen para përfundimit të balotazhit për zgjedhjet lokale.

Kosova s’ka themeluar institucionet e reja edhe tetë muaj pas përfundimit të zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit.

Gjykata Kushtetuese më 5 shtator ka vendosur masë të përkohshme deri më 30 shtator, përmes së cilës ua ndalon deputetëve të zgjedhur të Kuvendit të ndërmarrin veprime ose të procedojnë për formimin e qeverisë së re, pas ankesës së Listës Serbe, lidhur me votimin për nënkryetarin serb në Kuvendin e Kosovës.

Çitaku e cila është zgjedhur edhe nënkryetare e Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, thotë se Lëvizja Vetëvendosje, si partia e parë në zgjedhjet e fundit, nuk ka numrat për të formuar shumicën parlamentare.

“Në momentin në të cilin jemi, konsideroj që zgjedhjet e reja parlamentare janë bërë të pashmangshme. Është humbur shumë kohë. Zoti Kurti i ka humbur Kosovës jo vetëm këto muaj prej kur jemi pa institucione, por i ka humbur vite të tëra. Në vazhdimësi ka vendosur popullizmin në vend të qeverisjes së përgjegjshme dhe në vend të koordinimit me aleatët, gjithmonë ka zgjedhur konfrontimin. Fillimisht duhet të presim të shohim se çfarë do të na thotë Gjykata Kushtetuese dhe cilët janë hapat që parashihen të merren nga ana e Kuvendit të Republikës së Kosovës. Mirëpo, siç e lexoj situatën deri më tani, duket që do të jetë teknikisht e pamundur që ato zgjedhje të reja parlamentare të organizohen para përfundimit të balotazhit (në zgjedhjet lokale). Zgjedhjet e reja parlamentare, natyrisht, në bazë të afateve kalendarike, mund të ndodhin kah fundi i vitit”, thotë ajo.

Kuvendi i Kosovës në fund të muajit gusht pas gjashtëdhjetë tentimesh ka zgjedhur kryetarin dhe katër nënkryetarë, mirëpo jo edhe nënkryetarin nga komuniteti serb.

Përkundër kësaj, kryeparlamentari Basha ka mbyllur seancën konstituive dhe ka kërkuar që të rrjedhin afatet ligjore për formimin e qeverisë së re.

Kjo bëri që Lista Serbe të ankohet në Kushtetuese, derisa kontestoi edhe shmangien nga praktika e kaluar të votimit në pako të kandidatëve për nënkryetarë të Kuvendit nga radhët e komuniteteve jo-shumicë dhe hedhjen në votim ndaras të kandidatëve nga komuniteti pakicë joserb dhe serb.

Përfaqësuesja nga komunitetet joserbe, Emilija Rexhepi, u zgjodh nënkryetare e Kuvendit, ndërkaq dhjetë deputetët e komunitetit serb nuk arritën të sigurojnë 61 votat e nevojshme për të marrë këtë post, përfshirë edhe deputetin Nenad Rashiq.

E votimi në pako i nënkryetarëve të Kuvendit nga komunitetet jo-shumicë, sipas Çitakut, është i paraparë në rregulloren e Kuvendit të Kosovës, e cila është miratuar nga legjislatura e kaluar, ku shumicën parlamentare e ka pasur Lëvizja Vetëvendosje.

Sipas saj, votimi në pako i nënkryetarëve të Kuvendit nga komunitetet jo-shumicë nuk do të thotë kushtëzim apo veto e Listës Serbe për konstituim të Kuvendit, siç është theksuar nga presidentja e vendit, Vjosa Osmani dhe Lëvizja Vetëvendosje.

“Kuvendi vepron bazuar në Kushtetutë dhe në rregulloren e punës së Kuvendit. Rregullorja e punës së Kuvendit është hartuar nga legjislatura e kaluar dhe është miratuar nga legjislatura e kaluar, ku Lëvizja Vetëvendosje ka pasur shumicë absolute. Në atë rregullore është diktuar, si të themi, edhe mënyra e përzgjedhjes së kryetarit dhe nënkryetarëve. Nuk është kjo një veto apo kushtëzim që po bën dikush në Kuvendin e Republikës së Kosovës, është thjesht një rregullore, të cilën Lëvizja Vetëvendosje e ka shkruar vetë dhe e ka miratuar vetë. Ne duhet të jemi shumë të kujdesshëm me gjuhën që përdorim dhe me argumentet që përdorim. Kjo që e kemi sot është rezultat i përpjekjeve shekullore, i një lufte dhe një çmimi të madh e të lartë që e kemi paguar. Nuk guxojmë, se s’na fal historia. Nuk guxojmë që, për shkak të tekeve aventureske e populiste, e kryesisht për përfitime elektorale, të rrezikojmë rendin kushtetues dhe të cenojmë të ardhmen euroatlantike të Republikës së Kosovës. Sot qytetari i Kosovës duhet t’ia bëjë vetes vetëm një pyetje: A duam të jemi në NATO dhe në Bashkimin Evropian? Nëse përgjigjja është po, ashtu siç po shihet në çdo matje të opinionit në Republikë, atëherë kësaj qasje destruktive, të rrezikshme, të cilës po i prin z. Albin Kurti, duhet t’i japim fund”, deklaron ajo.

Në anën tjetër, Çitaku ka folur edhe për zgjedhjet lokale të 12 tetorit, ku është e bindur se PDK-ja do t’i mbajë komunat ku qeveris aktualisht, si dhe do të zgjerohet harta e fitoreve edhe në komuna të tjera, madje edhe në Prishtinë.

“Partia Demokratike e Kosovës hyn në këtë garë zgjedhore jo me arrogancë, por me vetëbesim të plotë, jo vetëm për shkak se kemi dëshirë për të fituar, por mbi të gjitha për shkak se besojmë fuqishëm që kemi kandidatët më të mirë – edhe për kryetarët, edhe në listat garuese për kuvendet komunale. Përveç se presim që të mbajmë qeverisjen në komunat ku tashmë jemi udhëheqës, ne besojmë fuqishëm që harta e fitores së Partisë Demokratike të Kosovës do të zgjerohet, përfshirë edhe me kryeqytetin”, thekson Çitaku.