Sekretarja e përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje se gjatë pushtetit të saj e ka bllokuar Kosovën, i ka rënduar familjet e prodhuesit vendorë, e se e ka pasuruar mafien energjetike.
Në një shkrim në Facebook, Çitaku ka thënë se VV-ja “Lëvizja VV prej ditës së parë si parti politike, në mënyrë aktive dhe shpeshherë edhe me dhunë, ka sabotuar çdo iniciativë të institucioneve të Republikës së Kosovës për të ndërtuar kapacitetet tona energjetike”.
Çitaku tutje ka thënë se VV-ja e ka penguar çdo përpjekje për zhvillim, teksa ka përmendur ish-kryeshefin e KEK-ut, Nagip Krasniqi, e ambasadorin Martin Berishajn “si majë të ajsbergut”. Krasniqi akuzohet për korrupsion, ndërsa Berishaj është intervistuar nga Prokuroria Speciale si i dyshuar për disa vepra.
“Nga Termocentrali Kosova e Re e deri tek projekti amerikan i gazpërçuesit, VV ka kundërshtuar dhe bllokuar çdo përpjekje për zhvillim. Sot, pavarësia energjetike nuk është vetëm çështje ekonomike. Është çështje e sigurisë kombëtare. Ata e bllokuan Kosovën, i rënduan familjet dhe prodhuesit vendorë me çmime të papërballueshme dhe pasuruan mafien energjetike. Nagipi e Martini janë vetëm maja e ajsbergut, rrënjët duken shumë më të thella. Më 28 Dhjetor kësaj mendësie i vjen fundi. Ata po e shohin, prandaj janë në panik”, ka shkruar tutje ajo në Facebook.
Zgjedhjet parlamentare mbahen më 28 dhjetor. Edhe pse fushata nuk nis zyrtarisht deri më 17 dhjetor, partitë kanë ashpërsuar gjuhën paraelektorale.