Vlora Çitaku, deputete e Partisë Demokratike të Kosovës, i ka reaguar kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i cili të shtunën tha se nuk heqin dorë nga emri i Albulena Haxhiut për kryetare të Kuvendit.
“‘S’ka krizë institucionale’ paska thënë A.K. Ndërkohë, zgjedhjet kanë përfunduar para më shumë se tre muajsh, dhe Kosova është ende pa Kuvend funksional dhe pa Qeveri legjitime. Për Albinin nuk ka krizë, as institucionale, as politike. Ashtu siç nuk sheh krizë ekonomike, nuk sheh as rritje të çmimit të energjisë, e as të kostos së jetesës. Shkurt e shqip, gjithçka në rregull paska thënë ai. Këndelluni, keni mundësi ta zhbllokoni situatën. Mos e mbani peng Kosovën, se ajo është shumë më e madhe dhe më e rëndësishme se egoja e Albinit”, ka shkruar Çitaku në Facebook.
Legjislatura e nëntë nuk është konstituuar edhe pse kanë kaluar tre muaj nga zgjedhjet që u fituan prej VV-së. Ngërçi ka mbetur te pika e tretë, zgjedhje e kryeparlamentarit. Emri i Albulena Haxhiut nuk ka marrë asnjëherë më shumë se 57 vota në votimet e deritashme.
Nga partitë opozitare, pos LDK-së, është kërkuar që të ndryshohet emri, por të shtunën Kurti tha se “nuk bën kompromise për konstituimin”.