Gazetari nga Shqipëria, Aleksandër Çipa, ka deklaruar se situata nga vërshimet në vend mbetet alarmante dhe se rreziku ende nuk ka kaluar, për shkak se mund të ketë reshje edhe në orët e ardhshme.
Sipas Çipës, reshje të mëdha shiu janë regjistruar në Shqipërinë e Mesme dhe kryesisht në pjesën Perëndimore, duke shkaktuar rritje të nivelit të ujërave, veçanërisht në zonat fushore. Si pasojë, një pjesë e banorëve vazhdojnë të përballen me rrezikun e evakuimit nga shtëpitë e tyre, si dhe me dëme në blegtori.
Ai ka bërë të ditur se shqetësime serioze raportohen aktualisht në Durrës, Lezhë, në ultësirën e Shkodrës, si dhe në zonat e Vlorës dhe Gjirokastrës, ku shumë familje kanë mbetur të izoluara.
“Është ende herët të themi se kemi kapërcyer rrezikun. Situata mbetet alarmante në këto zona dhe parashikohet shtim i reshjeve edhe në orët e ardhshme”, ka theksuar Çipa në “Interaktiv” të KTV-së.
Sipas tij, përkeqësimi i motit ka rritur edhe problemet me infrastrukturën ujore, duke shumëfishuar dëmtimet dhe vështirësitë për banorët dhe autoritetet lokale.
Gjatë mbledhjes së Këshillit të Emergjencave Civile të premten (sot), të cilin e ka drejtuar kryeministri Edi Rama, u vendos që të ndahen 50 milionë euro për ta menaxhuar situatën pas përmbytjeve.
Një mijë e 587 banesa dhe 13 mijë e 211 hektarë tokë janë përmbytur si pasojë e vërshimeve në Shqipëri.