Transicioni i ngadalshëm dhe i vështirë politik e ekonomik në Kosovë, sipas Hajrulla Çekut, ka qenë faktor kufizues për mundësitë e zhvillimit të turizmit, sidomos të trashëgimisë kulturore.
Në një intervistë për “Koha Ditore”, ish-zëvendësministri i Turizmit të Shqipërisë, tani pjesë e Development Solutions, ka thënë se shoqëria është sfiduar nga forca agresive e biznesit, që synim të vetëm kishte akomodimin e nevojave të qytetarëve për banim dhe zhvillim të aktivitetit afarist.
Sipas tij, në këta 20 vjet është ndërtuar pa asnjë konsideratë ndaj vlerave historike dhe në veçanti ndaj trashëgimisë ndërtimore.
E në këtë degradim, Çeku ka thënë se kanë kontribuar jo vetëm bizneset, por edhe projektet e investimeve publike, që ndonëse synim kanë pasur rehabilitimin e infrastrukturës fizike dhe publike, kanë dëmtuar të vjetrën deri në pikën e shlyerjes së mbamendjes kolektive të qytetarëve të Kosovës.
Gjatë intervistës ka thënë se suksesi në turizëm nuk vjen vetëm si rezultat i të qenit i pasur me burime e atraksione, por mbi të gjitha si pasojë e identifikimit dhe studimit të tyre. Çeku para se të emërohej zv.ministër ka qenë drejtor i organizatës joqeveritare “Ec ma ndryshe”.
KD: Përllogaritjet për turizmin nuk bëhen vetëm në disa periudha të caktuara të vitit. Por, nga një pikëpamje “tradicionale”, vëmendja për të rritet gjatë sezonit të verës, kur fluksi i qytetarëve drejt vendeve bregdetare është i madh. Nga ky këndvështrim, si e vlerësoni kulturën e të bërit turizëm nga qytetarët e Kosovës?
Çeku: Çfarëdo analize mbi aktivitetin turistik, e në këtë rast mbi kulturën e të bërit turizëm nga qytetarët e Kosovës, kërkon të dhëna të besueshme statistikore, grumbullimi dhe përpunimi i të cilave është përgjegjësi e autoriteteve kompetente shtetërore.
Një nga vështirësitë strukturore të sektorit të turizmit në Kosovë është mungesa e të dhënave që pasqyrojnë lëvizjet e shtetasve të huaj në drejtim të Kosovës dhe të kosovarëve në shtetet e tjera për qëllime pushimi.
Natyrisht, si të vetme, as këto të dhëna nuk janë të mjaftueshme për të analizuar trendët dhe mundësitë, dhe domosdoshmërisht ato duhet të komplementohen me të dhëna mbi nivelin e shpenzimeve, kontributin në ekonomi dhe të ngjashme.
E vetmja mundësi për të krijuar një pasqyrë të përgjithësuar mbi lëvizjet e qytetarëve të Kosovës në drejtim të shteteve të tjera për qëllime turizmi aktualisht janë të dhënat e operatorëve që ofrojnë paketa turistike për vendet e tjera, dhe të dhënat e shteteve destinacione për qytetarët e Kosovës. Megjithatë, edhe këto metoda kanë kufizimet e tyre pasi një pjesë e konsiderueshme e qytetarëve të Kosovës bëjnë udhëtime për qëllime turistike pa ndërmjetësimin e një operatori....(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “E Diela me Koha Ditore”)