Eugen Cakolli nga KDI, ka deklaruar se fletëvotimet me probleme teknike duhet të shpallen të pavlefshme sepse një gjë e tillë sipas tij përcaktohet edhe me ligj.
Cakolli në një intervistë për emisionin “60 Minuta” në KTV, tha se nuk përjashtohet as mundësia që të ketë rivotim në Mitrovicën e Jugut.
“Këto fletëvotime me probleme përkatësisht në kodet e nurmarve serik të atyre vendvotime duhet të shpallen të pavlefshme sepse përcaktohet me ligj. Që një fletëovtim të jetë i vlefshëm mes tjerash duhet ta përmbajë edhe kodin e njëtë të sigurisë. Shpallja si të pavlefshme e këtyre fletëvotimeve nuk është i mjaftueshëm. KQZ-ja duhet të dalë me një raport më të detajuar dhe pastaj të vendoset se si të veprohet. Në rast se vërtetohet që këto probleme janë vetëm të natyrës teknike kjo prapë se prapë nuk e përjashton nevojën për hetim të thelluar që mund të çojë në vendime përkatëse nga ana e PZAP-së, përfshirë mundësinë të ketë rivotim, rinumërim apo edhe të hidhet poshtë fare kërkesa e PDK-së”, deklaroi Cakolli.
Gjatë verifikimit të votave për kryetar të Komunës në Mitrovicë, janë evidentuar fletëvotime me numra serikë që nuk përputhen me vendvotimet përkatëse, si dhe fletëvotime pa numër serik.
Pas kësaj Prokuroria pati urdhëruar që procesi i verifikimit të votave në këtë komunë të ndërpritet, për të lejuar pastaj rifillimin e tij, pasi sqarimeve që thuhet se kanë marrë nga KQZ-ja dhe kompania që ka shtypur fletëvotimet.
PDK-ja ka kërkuar rivotim në këtë komunë, ndërsa e VV-ja ka vlerësuar se ndryshimi i numrave serik të fletëvotimeve nga numri i klasave ku është votuar, është gabim teknik.
Derisa KQZ-ja dhe kompania që i ka printuar ato i kanë konsideruar si gabime teknike, në PDK e kanë vënë në dyshim një gjë të tillë.
Cakolli kujtoi se edhe në vitin 2019 u rinumëruan mbi 90% e vendvotimeve në Kosovës vetëm sepse disa prej formularëve nuk i kanë pasur numrat përkatës të evidentuar nëpër kutitë e votimit.
“Nga ajo çfarë kemi parë gjatë monitorimit prej afër, na është thënë që të gjitha dengjet e kanë fletëvotimin e fundit me problem. Si është e mundur që disa fletëvotime të jenë në rregull e disa jo. Ka pasur raste në Kosovë por edhe në vende të tjera. Kujtoj që në vitin 2019, mbi 90% e vendvotimeve në Kosovë janë rinumëruar vetëm për shkak se disa prej formularëve nuk i kanë pasur numrat përkatës të evidentuar nëpër kutitë në fjalë”, deklaroi Cakolli.
Sipas Cakollit, votat nga diaspora nuk pritet të kenë ndikim në ndonjë komunë përveç në Mamushë.
Sa i përket mundësisë që të ketë një qeveri të re, Cakolli nga KDI nuk sheh ndonjë opsion të qëndrueshëm. E për zgjedhje të reja, Cakolli tha se ka mundësi të ketë edhe ndonjë shkelje tjetër nga qeveria për shkak të buxhetit që i duhet KQZ-së për t’i organizuar ato.
“Një proces zgjedhor kur është i jashtëzakonshëm zakonisht vlera për të shkon deri në 6 milionë euro. KQZ-ja nuk ka këto mjete sepse buxhetin e ka të ndarë vetëm për këtë vit. Për fat të keq jemi në një situatë paradoksale ku do të mund të ketë nevojë për një shkelje të sërishme të ligjit që qeveria në detyrë t’i ndajë mjete KQZ-së ose në rastin tjetër kur ndahet 1/12-ta e buxhetit pra 8%, respektivisht 16% nëse zgjedhjet do të mbahen në dhjetor. Do të mundte që KQZ-ja t’i shfrytëzonte 4 milionë euro në fillim të vitit të ardhshëm për të administruar një pjesë të procesit zgjedhor derisa për mjetet e tjera ose do të duhej të kishte dakordim me operatorët ekonomik për vonesa ose të gjindej ndonjë zgjidhje tjetër përfshirë këtu mundësinë e një dakordimi që qeveria të bëjë ndarjen e këtyre mjeteve apo edhe eventualisht të ketë ndonjë buxhet të miratuar në Kuvendin e Kosovës”, deklaroi Cakolli në emisionin “60 Minuta” në KTV.
Mandatari për kryeministër të Kosovës, Glauk Konjufca, ditë më parë ka deklaruar se nuk e di saktë sa i ka gjasat për t’u bërë kryeministër, derisa akoma nuk është caktuar data e seancës së Kuvendit të Kosovës për të parë nëse do të ketë një qeveri të re.
Partitë që në legjislaturën e kaluar kanë qenë në opozitë kanë deklaruar se nuk do ta mbështesin atë për kryeministër.