Hulumtuesi nga Instituti i Kosovës për Drejtësi ka reaguar pas vendimit të fundit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa që diaspora të votojë vetëm në përfaqësitë diplomatike për zgjedhjet e 28 dhjetorit dhe jo në hapësira alternative.
Sipas tij, ky vendim rivendos standard të qartë ligjor dhe, duke besuar që do të konfirmohet edhe nga Gjykata Supreme nëse dërgohet si rast, mbyll çdo dilemë për mënyrën e organizimit të votimit jashtë Kosovës.
Sipas tij, vendimi i PZAP-së ka ndaluar përpjekjet për krijimin e një situate të paqenë, për ta paraqitur diasporën si të “penguar” nga votimi.
“Në fakt, as PZAP-ja, as parashtruesit e ankesës dhe askush tjetër nuk e ka ‘ndaluar diasporën’. Thjesht, nuk u lejua shkelja të ligjit në emër të narrativave politike dhe ‘kauzave’ elektorale, si dhe u neutralizua një lojë që rrezikon ta deformojë debatin publik rreth diasporës”, ka thënë ai.
Cakolli tutje ka thënë se faktet që diasporës nuk u është ndaluar votimi janë të thjeshta.
“Mjafton të lexohet vendimi i PZAP-së, dhe kuptohet menjëherë se kjo është një tezë e zbrazët dhe strategji e vjetër për mobilizim elektoral. Diaspora nuk duhet të bjerë pre e diskurseve përçarëse. Ajo do të votojë, ashtu siç e përcakton ligji. Kjo është mënyra më e sigurt që vota e çdo qytetari jashtë vendit të ketë vlerë dhe legjitimitet të plotë”, ka shtuar ai.
Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa e ka pranuar si të bazuar ankesën e Lidhjes Demokratike të Kosovës që përfaqësitë diplomatike dhe hapësirat e tyre do të jenë qendra të votimit jashtë Kosovës për zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit, dhe jo hapësirat e tjera alternative, duke e ndryshuar vendimin e mëparshëm.
Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka reaguar pas vendimit të PZAP-së dhe e ka akuzuar LDK-në se është kundër diasporës.
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, e ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje, për sulme, dhe i ka quajtur histeri politike, reagimet e zyrtarëve të kësaj partie ndaj LDK-së, pasi Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, e aprovoi ankesën e saj kundër hapjes së qendrave të votimit jashtë përfaqësive diplomatike.