Arbëri

Cakolli: Dialogu me Serbinë, determinues për raportin pushtet-opozitë

Kosovës i duhet një opozitë kujdestare e punës së ekzekutivit, duke e mbajtur këtë të fundit llogaridhënëse për veprimet e saj, ndërsa konstruktive lidhur me temat e mëdha, ka thënë Eugen Cakolli, i cili mbikëqyr punën e Kuvendit në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI).

Sipas tij, dialogu Kosovë-Serbi do të jetë procesi kyç që do t’i determinojë raportet mes pushtetit dhe opozitës, e mbase edhe jetëgjatësinë e Qeverisë. Cakolli vlerëson se ky proces i një rëndësie kaq të madhe për shtetin e Kosovës, duhet të jetë pika përbashkuese e spektrit politik vendor, shkruan sot “Koha Ditore”.

“Në këtë mënyrë, Kosova do të paraqitej shumë më serioze në tryezën e bisedimeve, me qëndrime të artikuluara mirë, që do të forconin pozitën negociuese të Kosovës karshi Serbisë, por edhe do të përmirësonin imazhin ndërkombëtar”, ka thënë Cakolli në intervistën dhënë “Kohës Ditore”.

Sipas tij, ndonëse potenciali i opozitëbërjes nuk do të duhej të limitohej vetëm në numra, përbërja e kësaj legjislature është e atillë që pamundëson marrjen e çfarëdo vendimi të rëndësishëm pa përfshirjen e të paktën një pjese të opozitës.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “E Diela me Koha Ditore”)