Shumë pyetje parlamentare janë grumbulluar nga seanca në seancë, pas përcaktimit të kryeministrit dhe ministrave që të mos u përgjigjen atyre deputetëve opozitarë që kanë vendosur të mos i votojnë marrëveshjet ndërkombëtare. Në shoqërinë civile kanë vlerësuar se me këtë Kuvendit po i pamundësohet ta ushtrojë rolin kushtetues për mbikëqyrjen e Qeverisë
Rreth 50 pyetje parlamentare të deputetëve kanë mbetur pa përgjigje nga anëtarë të kabinetit qeveritar.
Ato janë grumbulluar nga seanca në seancë, kryesisht pas përcaktimit të kryeministrit dhe ministrave që të mos u përgjigjen atyre deputetëve opozitarë që kanë vendosur të mos i votojnë marrëveshjet ndërkombëtare.
“Për shkak se nuk po i votoni marrëveshjet, të gjithë deputetët që po i bëjnë pyetjet nuk do ta kenë përgjigjen time edhe pse tashmë i kam të përgatitura”, pati thënë kryeministri Albin Kurti, tek refuzoi për herë të parë t’u përgjigjej opozitarëve.
“Kemi qëndrim se për shkak të mosvotimit të marrëveshjeve ndërkombëtare nuk do të përgjigjem në pyetjet nga deputetët që nuk i kanë votuar këto marrëveshje”, pati theksuar ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, që ndoqi shembullin e kryeministrit.
Pyetjet e ligjvënësve janë mjet me të cilin Kuvendi ushtron kontroll parlamentar ndaj Qeverisë.
E ky kontroll është i rregulluar me Ligjin për Qeverinë.
“Qeveria për punën e vet i përgjigjet Kuvendit. Përgjegjësia e tillë ushtrohet përmes instrumenteve të mbikëqyrjes parlamentare të përcaktuara në Kushtetutë dhe legjislacionin tjetër në fuqi”, thuhet në ligj.
Kuvendi nuk ka treguar se cilët nga ministrat u janë shmangur më së shumti pyetjeve parlamentare.
Mexhide Demolli, shefe ekzekutive e Lëvizjes Fol, thotë se me vendimin për të mos iu përgjigjur pyetjeve të deputetëve opozitarë, Qeveria po ia pamundëson Kuvendit të luajë rolin e tij mbikëqyrës.
“Vazhdojmë të kemi mungesë të kuorumit qoftë edhe në komisione e aq më shumë edhe për pyetjet parlamentare që mund të kenë deputetët karshi kabinetit qeveritar”, ka thënë Demolli. “Kjo vetëm sa e pengon punën e Kuvendit por edhe kërkesën për llogaridhënie për Qeverinë e Kosovës”.
Në Raportin e Progresit për këtë vit Komisioni Evropian kritikoi Kuvendin duke theksuar se ky institucion duhet të forcojë funksionin e tij mbikëqyrës ndaj ekzekutivit dhe institucioneve të pavarura.
Por, Demolli thotë se këtë po e pamundëson Qeveria edhe me mungesë të anëtarëve të saj në Kuvend.
E, Rregullorja e Kuvendit parasheh që në rastet kur anëtari i Qeverisë nuk i përgjigjet deputetit për shkak të mospranisë së tij pa arsye, kryesuesi i seancës duhet t’ia tërheqë vërejtjen publike atij për qasjen mospërfillëse ndaj Kuvendit e deputetit.
Ministrat kanë munguar edhe në seanca, të cilat kanë pasur si pikë të rendit të ditës vetëm pyetjet parlamentare.