Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Blakaj: Është rritur numri i të miturve që po përdorin substanca narkotike

droge

Drejtori ekzekutiv i Qendrës Mediko-Psikoterapeutike “Labyrinth”, Safet Blakaj, ka ngritur shqetësimin për rritjen e përdorimit të kokainës dhe uljen e moshës së përdoruesve në Kosovë, duke theksuar se trendi është në rritje dhe po prek edhe të miturit.

Sipas tij, gjatë tre muajve të parë të vitit nuk ka ndryshime të mëdha krahasuar me vitin e kaluar, por është shtuar numri i personave që kërkojnë ndihmë, çka tregon një trend në rritje.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Blakaj thekson se përdorimi i drogës shpesh nis me kanabis, ndërsa kalimi në kokainë po ndodh më shpejt se më parë, duke rritur rrezikun për varësi të shpejtë.

Ai shton se mosha e përdoruesve është ulur ndjeshëm, nga 35-45 vjeç disa vite më parë në 25-35 vjeç sot, me tendencë të mëtejshme rënieje.

“Këtë tremujorësh pra nuk ka pasë ndonjë dallim esencial prej vitit të kalum, por është le të themi se vërehet një tendencë e rritjes së numrit të përdoruesve, së paku numrit të atyre të cilët kërkojnë ndihmë tek ne. Mosha e përdorimit të drogës, tashmë flasim natyrisht marihuanën që është gjithandej e shpërndarë në Kosovë, po edhe gjithkah në regjion e kështu me radhë, por kokaina është ajo që na shqetëson shumë. Pra, kemi vërejtur tremujorëshin e parë që ka një rritje të lehtë, shumë të lehtë, por me tendencë të vazhduar, rritja e përdoruesve të kokainës. Edhe këtu duhet me theksu posaçërisht që ende është duke ra mosha e fillimit të përdorimit të kokainës tek më të rinjtë. Kjo është ajo çka mundem me thanë për këtë tre mujor. Në mes të tyre ka edhe që kanë fillu e janë nën moshën 18 që quhen të mitur. Kjo po na shqetëson kur flitet për kokainën”, tha ai.

Shqetësim tjetër është edhe përhapja e përdorimit në zonat rurale, si dhe rritja e dozës dhe frekuencës së konsumit tek të rinjtë.

Blakaj paralajmëron gjithashtu rrezikun nga droga sintetike si amfetamina dhe metamfetamina, të cilat mund të përhapen më lehtë për shkak të çmimit më të ulët.

Ai thekson mungesën e programeve të mirëfillta parandaluese në nivel vendi, sidomos të atyre që synojnë të rinjtë brenda dhe jashtë sistemit arsimor.

Sipas tij, një kategori prej rreth 72 mijë personash jashtë punës dhe arsimit paraqet rrezik të shtuar për përfshirje në përdorim droge.

Në fund, Blakaj kërkon më shumë mbështetje institucionale për programe parandaluese, identifikim të hershëm dhe ndërhyrje të shpejtë tek të rinjtë, duke theksuar se Kosova është tashmë e vonuar në këtë drejtim.