Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, ka bërë të ditur se bizneset së bashku me punëtorët do të protestojnë të mërkurën, më 11 qershor, nëse Qeveria nuk reflekton ndaj vendimit për daljen në tregun e lirë të energjisë elektrike.
Në një konferencë për media pas takimit me përfaqësues të bizneseve, Rafuna theksoi se kërkesa kryesore është sigurimi i një faze tranzicioni përpara hyrjes në tregun e lirë.
“Takimin që e kishim me bizneset të cilat janë të prekur nga dalja në treg të lirë të energjisë, një pjesë e tyre ishin prezent, u pajtuam që t’i bëjmë thirrje qeverisë që të reflektojë, të na jepet mundësia e një faze të tranzicionit që kemi kërku më herët, të përgatitet tregu, të përgatitet një paketë që e përcjell gjatë kësaj faze të tranzicionit për të dalë në treg të lirë dhe biznesi të kalojë në tregun e lirë në datën që do të dakordohemi të gjithë bashkë. Në rast se nuk do të ketë reflektim, atëherë bizneset bashkë me punëtorët ditën e mërkurë do të dalim në shesh në orën 12:00 për ta shpreh pakënaqësinë që e kemi lidhur me këtë vendim dhe për mos reflektimin e qeverisë së Kosovës”, tha Rafuna.
Ai kërkoi nga institucionet që të respektojnë kërkesën e komunitetit të biznesit dhe të shmangin përshkallëzimin e situatës.
“Për këtë arsye, në emër të bizneseve kërkoj nga Qeveria e Kosovës që të respektojë pjesën e tranzicionit për shkak të rrethanave dhe kushteve ku jemi, dhe ta gjejmë një zgjidhje që ta menaxhojmë sa më mirë dhe të mos ketë nevojë që bizneset të dalin në shesh për të protestuar”, shtoi ai.
Përfaqësues të bizneseve kanë alarmuar për pasoja serioze në sektorin prodhues, duke theksuar se shumë fabrika po konsiderojnë mbylljen për shkak të pamundësisë për të përballuar çmimet e larta të energjisë.
Në takim, disa biznese kanë ngritur shqetësimin se po përballen me kërcënime nga KEK për ndërprerje të energjisë.
Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini, tha se ndikimi është i gjerë dhe prek mijëra kompani dhe punëtorë.
“Kjo është kërkesë e komunitetit të biznesit, të kompanive 1 mijë e 300 që janë prekur. Mbi 143 mijë punëtorë dhe kjo është kërkesë që ditën e mërkurë me datë 11 qershor në orën 11 të protestojmë në qendër të Prishtinës me pronarët dhe punëtorët e kompanive. Që edhe në këtë formë ne të tregojmë se jemi goditur thellë. Bizneset, prodhuesit, shërbyesit nuk po mund ta përballojnë këtë shtrenjtim të energjisë elektrike”, tha Shahini.
Ndërkohë, kryetari i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, përmendi rastet konkrete të ndikimit negativ nga liberalizimi i tregut të energjisë.
“Të gjithë prej nesh jemi të informuar për rastet e dy fabrikave që janë në pronësi të investitorëve të huaj ose të cilat janë kapital të përzier vendor dhe të huaj. Po flasim për 300 punëtorë në njërën prej komunave më të varfra në Kosovë që kanë mbetur pa punë… Gjatë javës së kaluar kur ne kishim një takim të tillë në Këshillin Kombëtar të Ekonomisë dhe Investimeve ishte sjellur njëra prej kompanive që vite më parë ka kaluar në tregun liberal. Ne kemi kërkuar që aty të jetë Feronikeli. Meqë Feronikeli e ka mbyllur edhe furrën e saj të fundit para rreth një muaji. Shembulli i Feronikelit është shembulli më konkret se cili është ndikimi i liberalizimit të tregut të papërgatitur të energjisë elektrike. Tregu në aspektin e furnizimit nuk ka qenë i përgatitur dhe këtu nuk ka asgjë prej neve që mund të bëjmë. Është ZRrE-ja që është dashur të sigurohet para vendimit se tregu është funksional”, tha Zeka.