Një hulumtim i Balkan Free Media Initiative (BFMI), organizatë joqeveritare me qendër në Bruksel, ka zbuluar prova të manipulimit të gjerë algoritmik në TikTok gjatë periudhës së zgjedhjeve të shkurtit 2025 në Kosovë, me metoda të ngjashme me ato të vërejtura më herët në Rumani dhe Bullgari. Sipas raportit, taktikat përfshinin postime dhe komente masive, sinkronizim të aktiviteteve dhe hashtags, me një pjesë të konsiderueshme të këtyre aktiviteteve të fokusuara te Lëvizja Vetëvendosje (LVV) dhe kryeministri Albin Kurti.
BFMI-ja thekson se TikToku ka luajtur rol kyç në formësimin e narrativave politike gjatë zgjedhjeve parlamentare, duke qenë platforma më e përdorur në Kosovë, pavarësisht se rrjeti social është i ndaluar në institucionet shtetërore për arsye të sigurisë kibernetike.
Që nga 28 qershori 2024, TikToku është i ndaluar në institucionet shtetërore, por kjo nuk i pengon politikanët dhe partitë të jenë aktivë përmes llogarive personale. Raporti vë në dukje se përmbajtjet e publikuara nga llogaritë zyrtare të partive amplifikohen më pas nga profile joorigjinale, influencerë ose të ashtuquajturat “theme accounts”, që krijohen për të rritur shtrirjen algoritmike.

Disa llogari që promovojnë kryeministrin në detyrë Albin Kurti, sipas hulumtimit, nuk janë të qarta nëse menaxhohen nga mbështetës realë apo janë të automatizuara. Ndërkohë, figura të rëndësishme politike shfaqen shpesh në TikTok, duke përfituar nga amplifikimi i koordinuar, ku përmbajtja politike përzihet me sport, argëtim dhe video virale për të arritur audiencë sa më të gjerë.
Metoda më e theksuar e manipulimit të identifikuar ishte taktika “Fire Hose”, ku një sasi jashtëzakonisht e madhe përmbajtjesh publikohet nga pak ose edhe një profil i vetëm. Një llogari e vetme në TikTok (@hamzahatika46) publikoi mbi 18 mijë video gjatë fushatës – duke mbledhur më shumë se 13 milionë ndërveprime.

Raporti po ashtu tregon manipulim të gjerë të hashtags, ku ato politike si #lvv dhe #ldk kombinohen me #fyp, #viral dhe #kosova për ta bërë përmbajtjen politike të duket virale dhe për ta ekspozuar te përdoruesit që nuk ndjekin video politike. Janë gjetur edhe raste të hashtags të partive rivale për shpërndarjen e përmbajtjeve kritike ose dezinformuese.

Sipas BFMI, manipulimi algoritmik jo vetëm që rrezikon integritetin e informacionit, por përbën edhe kërcënim të drejtpërdrejtë për sigurinë kombëtare. Ky fenomen thellon ndarjet etnike, ul besimin në institucionet demokratike dhe mund të përshkallëzojë tensionet në terren. Për më tepër, rënia e besueshmërisë së mediave dhe kufizimet e lirisë për mediat e lënë publikun më të ekspozuar ndaj propagandës dhe ndikimeve të aktorëve të huaj.
BFMI-ja paralajmëron se dezinformimi dhe polarizimi në hapësirën digjitale po shndërrohen në instrumente të destabilizimit strategjik, duke e kthyer TikTokun dhe platformat e tjera online në një vijë të parë të sfidave të sigurisë për Kosovën – me pasoja që mund të ndihen në tërë Evropën.