Milan Radojeviq është betuar si kryetar i ri i Mitrovicës së Veriut.
Radojeviq ka pasuar Erden Atiqin.
Ai është nënshkruar në seancën inauguruese në dokumentacionet që kanë pasur simbolet e Republikës së Kosovës.
Radojevic ka deklaruar se do të punojë për interesin e qytetit të Mitrovicës së Veriut.
Asamblistët shqiptarë i thonë Jakshiqit se s’ka nevojë të frikësohet: Mos polizito
Seanca inauguruese në Mitrovicë të Veriut nuk ka kaluar krejt e qetë të premten. Anëtari serb Marko Jakshiq ka pretenduar se në sallë ka pasur policë civilë e se është ndier i frikësuar. Por, kjo është hedhur poshtë menjëherë nga anëtarët e LVV-së e PDK-së në sallë.
Asamblistja e Vetëvendosjes, Aida Ferati-Doli, ka thënë se ishte e qartë se në atë sallë nuk kishte policë e se nuk ka pasur arsye për frikë.
“Secili prej nesh këtu që kemi në këto ulëse e kemi marrë besimin për atë çka përfaqësojmë kështu që edhe pyetja që është bërë, a frikësoheni a nuk frikësoheni, nuk kemi nevojë për pyetje të tilla. Ne jemi për të konsistuar Kuvendin Komunal të Mitrovicës së Veriut. Sa i përket policisë unë nuk po shoh e nuk po vërej që ka polic në këtë sallë. Nuk ka nevojë që parafolësi të ndihet i kërcënuar. Jemi këtu për tu betuar në seancën konstitutive të Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut”, tha ajo.
E, asamblisti i PDK-së, Emir Azemi, i ka kërkuar Jakshiqit që të mos ta politizojë situatën dhe se aty janë për ta bërë betimin.
“Ne jemi në shtëpinë tonë, në shtetin tonë nuk kemi nevojë me pasë frikë. Nuk ke nevojë me u frikësu nga tjetër kush, nuk e dimë kush është polic, por ne këtu jemi të barabartë nuk ka nevojë me politizu këtë mbledhje solemne ta mbajmë jemi ardhur këtu që të betohemi në mbledhje solemne edhe nuk ka nevojë me u politizu asgjë”, theksoi ai.
Asamblisti serb Marko Jakshiq, duke pretenduar se po ndihet i frikësuar ka kërkuar që nga salla të largohen policët, megjithëse aty nuk janë parë të tillë e nuk ka lëvizur kush.
“Në këtë moment, si kryesues, ndihem i rrezikuar dhe i pasigurt, sepse në këtë sallë, përveç nesh dhe gazetarëve, po qëndrojnë edhe pjesëtarë të policisë. I kam pyetur kolegët shqiptarë nëse kanë frikë nga ne, nga serbët, dhe ata kanë thënë se jo. Do t’ju lutesha që, nëse është e mundur, që të mund të vazhdoj punën dhe të them atë që dua të them, t’i kërkoni policisë të dalë nga kjo sallë. Sepse, besomëni, ndiej sikur një shtet policor po ushtron presion mbi ne, po na kontrollon, po na frikëson, dhe ne nuk jemi të lirë ta kryejmë punën tonë. Nuk ndihem i sigurt, sepse kam parë disa pjesëtarë të policisë me civil brenda sallës. Prandaj, nëse është e mundur, ju lutem t’i kërkoni të dalin nga salla — do të ishte mirë”, tha ai.