Dajana Berisha, drejtoreshë e organizatës Forumi për Iniciativa Qytetare (FIQ), ka thënë se kryeministrit Albin Kurti nuk i pëlqen fakti që Vjosa Osmani ka marrë kaq shumë vëmendje ndërkombëtare. Sipas saj, Kurti nuk dëshiron të ketë ndërmjetës tjetër përveç tij mes Kosovës dhe SHBA-së.
Berisha në emisionin “Konfront” në KTV, ka potencuar se këtë e dëshmon më së miri injorimi nga ana e Kurtit ndaj të gjitha vizitave të Osmanit, nënshkrimin në emrin e Kosovës si themeluese e Bordit të Paqes dhe çdo takimi tjetër me figurat e larta veçanërisht në SHBA.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Kurti do të eliminojë secilin apo secilën që merr vëmendje të ndërkombëtarëve. Vjosa Osmani sidomos në këto dy vitet e fundit mori një vëmendje super të madhe ndërkombëtarisht sidomos nga SHBA-ja, presidenti Trump. Një ndërmjetës ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së, nëse nuk është Albin Kurti duhet patjetër të eliminohet sepse i pengon raportet e drejtpërdrejta me Amerikën, Uashington dhe Brukselin”, ka thënë Berisha.
Alijaj: Jemi shumë vonë në zgjedhjen e presidentit, familja Jashari po përdoret
Analisti politik Artan Alijaj ka vlerësuar se procesi i zgjedhjes së presidentit ka hyrë në fazë emergjente, duke theksuar se partitë politike janë vonuar ndjeshëm në arritjen e një marrëveshjeje.
Sipas tij, zgjedhjet kanë përfunduar më 28 dhjetor dhe tashmë vendi ndodhet vetëm pak ditë para përfundimit të afatit kushtetues, pa pasur diskutime substanciale mes partive për çështjen e presidentit.
“Zgjedhja e presidentit po shndërrohet në emergjencë. Jemi shumë vonë. Është pak jo e pëlqyeshme që tetë ditë para përfundimit të afatit nuk kemi asnjë diskutim substancial mes partive”, ka thënë Alijaj në “Konfront”.
Ai shtoi se kur flitet për konsensus, deri më tani ka pasur vetëm dy takime të kryeministrit Albin Kurti me liderë opozitarë, përkatësisht me Bedri Hamzën dhe Lumir Abdixhikun, por sipas tij pa ndonjë përmbajtje konkrete.
“Është folur për një kandidat konsensual, një kandidat mbi parti – por si koncept është shumë i tepruar, sepse është shumë e vështirë të arrihet një kandidat mbi të gjitha partitë, sidomos duke ditur krizat që kemi kaluar dhe sa e pamundur është t’i ulësh bashkë partitë”, theksoi ai.
Alijaj u shpreh se kohëve të fundit ka ndryshuar edhe disponimi i Lëvizja Vetëvendosje karshi presidentes Vjosa Osmani, ndërsa shtoi se emri i familjes Jashari po keqpërdoret.
“Familja e shenjtë për çdo shqiptar është përmendur së fundmi. Mendoj që në shumë raste është keqpërdorur nga secila parti dhe po keqpërdoret prapë”, u shpreh ai.
Sipas Alijajt, nëse emri i familjes Jashari është duke u përfolur tash e dy muaj si mundësi për postin e presidentit, do të ishte e udhës që të ketë një reagim publik nga ana e saj për të sqaruar nëse ekziston interes për një kandidaturë të mundshme.
Shabani-Cacaj: PDK-ja dhe LDK-ja s’janë të gatshme të shkojnë në zgjedhje
Analistja politike, Anita Shabani-Cacaj, ka thënë se nuk ka transparencë nga partitë politike sa i përket çështjes së presidentit. Sipas saj, ajo çka vazhdimisht dëgjohet është vetëm se duhet të ketë konsensus.
Në emisionin “Konfront” në KTV, analistja Shabani-Cacaj ka deklaruar se megjithatë partive opozitare nuk iu konvenon aspak të shkojnë edhe një herë në zgjedhje dhe sipas saj në këtë ka ndikuar rezultati i fundit zgjedhor.
“Në zgjedhjet e fundit PDK-ja ka deklaruar se nëse nuk ka marrëveshjeje paraprake për Qeverinë, ne nuk do të jemi pjesë e marrëveshjeve për presidentin, por kjo ka ndryshuar. Kjo ka ndryshuar për shkak të rezultatit zgjedhor. Nuk janë të interesuara të shkojnë në zgjedhje. Rezultati i zgjedhjeve i ka nënshtruar dhe nuk janë të gatshëm për shkak të presidentit të shkojnë në zgjedhje”, ka deklaruar Shabani-Cacaj.
Berisha: VV-ja nuk ka dëshirë ta ketë Osmanin presidente. S’ka vullnet politik
Dajana Berisha, drejtoreshë e organizatës Forumi për Iniciativa Qytetare (FIQ), ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje nuk ka dëshirë që Vjosa Osmani të jetë presidente edhe në një mandat.
Sipas saj, nuk ka vullnet dhe interes politik nga VV-ja për të pasur proces legjitim dhe të fortë konsensual mes të gjitha forcave politike për të zgjedhur presidentin. Ajo ka theksuar se i vetmi konsensus mes LVV-së, PDK-së e LDK-së - pas takimeve që krerët e të triave mbajtën për çështjen e presidentit – ka qenë që emri i Vjosa Osmanit është lënë jashtë mundësisë për mandat të dytë.
“Duke u fshehur pas logjikës së numrave e shoh që VV-ja nuk pat as vullnet politik, as dëshirë për të pasur Osmanin në mandat të dytë si presidente. Në anën tjetër, opozita nuk e ka numrat e nevojshëm për të propozuar një kandidat të tyrin. Vazhdojmë,, edhe këto takime e biseda që janë mbajtur nuk janë të natyrës së vërtetë politike por takime për të cilat Kurti pastaj do të ketë një vetëkrenari që ‘ja unë i iniciova këto takime por nuk pati vullnet nga opozita’”, ka thënë ajo në “Konfront”.