Komisioni Evropian ka propozuar formalisht nisjen e negociatave për heqjen e shpenzimeve të roamingut me vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor. Sipas këtij propozimi, negociatat do të zhvilloheshin ndaras me Shqipërinë, Bosnje e Hercegovinën, Kosovën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë. Pasi të finalizohen marrëveshjet përkatëse me këto vende, atëherë qytetarët e Kosovës dhe të vendeve tjera të rajonit, kur të udhëtojnë në vendet e Bashkimit Evropian, do të mund të përdorin telefonat e tyre pa shpenzime shtesë sipas sistemit “roam like at home” (roaming sikur në shtëpi).
Në mesin e vendeve të BE-së qëmoti janë hequr shpenzimet për roaming. Po ashtu, vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor kanë zvogëluar apo hequr shpenzimet për roaming mes vete. BE-ja tash dëshiron që t’i heqë këto shpenzime edhe mes Bashkimit Evropian dhe vendeve të rajonit të Ballkanit.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoPër të nisur negociatat me vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor, Komisioni Evropian duhet të marrë mandatin nga Këshilli.
Zëdhënësja e Komisionit Evropian, Paula Pinho, ka thënë se edhe me këtë BE dëshiron të integrojë edhe më shumë vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor. Kjo mundësi, përmes integrimit gradual të rajonit në tregun e përbashkët të BE-së, është paraparë edhe në Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor, të miratuar në vitin 2023.
Nga mundësia për përdorim të telefonit pa pagesa shtesë do të përfitojnë edhe qytetarët e rajonit gjatë vizitave në vendet e BE-së, edhe miliona turistë evropianë që vizitojnë vendet e Ballkanit.
“Sot po ndërmarrim një hap të rëndësishëm për partnerët në Ballkanin Perëndimor në rrugën drejt përfshirjes në familjen e roamingut në BE. Ky është një lajm i mirë për qytetarët, por edhe për biznesin në rajon”, ka thënë Henna Virkkunen, zëvendëspresidente e Komisionit Evropian për teknologji.
Këtë lajm e ka vlerësuar edhe Komisionerja për Zgjerim, Marta Kos.
“Çmimet e roamingut janë problem për njerëzit anekënd Ballkanit Perëndimor. Ato shpenzime ndikojnë në punëtorët apo familjet që rregullisht kalojnë kufirin apo thjesht ata që duan të jenë në kontakt. Faturat e befasishme apo shpenzimet e rritura janë diçka që nuk ekziston më në BE. Sot po propozojmë zgjerimin e kësaj mundësie edhe për Ballkanin Perëndimor. Kjo do të sjellë telefonime më të lehta dhe mundësi përdorimi të internetit me shpenzime sikur në shtëpi”, ka thënë Marta Kos.
Në Komisionin Evropian thonë se tashmë ka kompani të telefonisë mobile që janë lajmëruar si vullnetare për të ulur tarifat, por mund të ketë edhe të atilla që nuk do t’u pëlqejë heqja e shpenzimeve për roaming, pasi përfitojnë nga një gjë e tillë.