Arbëri

BE: Kosova rrezikon rrugëtimin evropian nëse s'e themelon Asociacionin

Bashkimi Evropian Kosova flamur

Foto: Driton Paçarada

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka thënë se mosthemelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe “nuk do të shihet si sinjal pozitiv se Kosova dëshiron të lëvizë në rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve, që tash është i lidhur me përparimin e Kosovës në rrugën drejt BE-së”.

Në konferencën për media të së martës, Stano ka thënë se Kosova duhet ta zbatojë urgjentisht detyrimin e “kamotshëm” për formimin e Asociacionit. Ai ka thënë se kjo kërkesë është përsëritur disa herë nga Bashkimi Evropian në nivelin më të lartë.

Zotimi për formimin e Asociacionit buroi nga marrëveshja e vitit 2013 dhe më pas e 2015-s mbi parimet për themelimin e tij. Po më 2015, Gjykata Kushtetuese gjeti se marrëveshja s’është në harmoni të plotë me Kushtetutën. Një draftstatut për Asociacionin është propozuar vitin e shkuar nga bashkësia ndërkombëtare. Fillimisht u tha se palët e pranojnë në parim, por s’ka pasur asnjë lëvizje drejt zbatimit. Kryeministri Albin Kurti ka thënë se është i gatshëm ta pranojë, por duke kushtëzuar me nënshkrim të Marrëveshjes së Brukselit, të Ohrit dhe të draftit. 

Stano ka thënë se në takimin e kësaj jave në nivel krynegociatorësh të Kosovës dhe Serbisë, çështja kryesore do të jetë për dinarin. Megjithatë, ka shtuar se çështja e Asociacionit mbetet përherë aktuale në dialog.