Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

BE-ja planifikon që “statusi” i Urës së Ibrit të diskutohet në takimin e radhës në dialog

Ura e Ibrit - testimet

Foto: Alban Bujari

Bashkimi Evropian planifikon që “statusin” e Urës së Ibrit në Mitrovicë ta vendosë në agjendën e takimi të ardhshëm në dialogun Kosovë-Serbi. Një zëdhënës i Bashkimit Evropian ka thënë për KOHËN se BE-ja e konsideron hapjen e Urës së Ibrit çështje të dialogut edhe pse “Qeveria e Kosovës po vepron në të kundërtën”.

“Hapja e urës është çështje e dialogut edhe pse Qeveria e Kosovës po vepron në të kundërtën. Bashkë me partnerët tanë ndërkombëtarë, përfshirë NATO-n dhe KFOR-in, ne e kundërshtojmë veprimin për të ndryshuar statusin aktual të urës pa koordinim dhe marrëveshje paraprake në dialog. Ne ua kemi bërë shumë të qartë qëndrimin tonë homologëve tanë në Kosovë në shumë nivele, në shumë mënyra dhe përmes shumë partnerëve. BE-ja u kërkon të gjitha palëve të përmbahen nga çdo veprim i pakoordinuar dhe i njëanshëm. Nuk diskutojmë për skenarë të mundshëm. BE-ja planifikon ta vendosë statusin e urës në agjendën e takimit të ardhshëm të dialogut”, thuhet në një përgjigje me shkrim nga një zëdhënës i BE-së.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Qeveria e Kosovës ka prezantuar planet për hapjen e Urës së Ibrit, që mbetet e mbyllur për qarkullim të veturave. Ministria e Infrastrukturës tashmë është në pritje të raportit të testimeve të bëra javën e kaluar në lidhje me stabilitetin e urës mbi Ibër. 

Ndaj planit të Qeverisë kanë protestuar edhe serbët në veri. 

Partnerët ndërkombëtarë kanë kritikuar Kosovën duke e cilësuar planin si “veprim të njëanshëm dhe të pakoordinuar”. Edhe KFOR-i ka thënë se çfarëdo vendimi për hapjen e urës duhet të merret në dialog.