Arbëri

BE-ja kërkon koordinim dhe dialog me të gjitha komunitetet rreth urave në Mitrovicë

gurthemelet

Foto: Driton Paçarada

Bashkimi Evropian (BE) ka kërkuar që për çfarëdo projekti të infrastrukturës mes jugut dhe veriut të Mitrovicës të ketë koordinim dhe dialog me të gjitha komunitetet përkatëse. Këtë e kanë thënë pas vendosjes së gurthemeleve për ndërtimin e dy urave mbi lumin Ibër dhe pas testimeve që BE-ja ka bërë në urën ekzistuese e cila vazhdon të mbetet e mbyllur për trafik të automjeteve.

“Ndërtimi i dy urave të reja është një zhvillim i cili ka rëndësi edhe praktike edhe politike. Çfarëdo projekti i infrastrukturës mes veriut dhe jugut në Mitrovicë kërkon një koordinim të ngushtë dhe dialog mes të gjitha komuniteteve përkatëse”, thuhet në një përgjigje të Bashkimit Evropian.

Në të njëjtën përgjigje thuhet se “Është thelbësore që projektet e tilla të reflektojnë vullnetin dhe nevojat e komuniteteve lokale”.

Bashkimi Evropian ka përsëritur atë që ka thënë edhe më herët se i ka kryer testimet për vlerësimin e urës mbi lumin Ibër por se këto testime “nuk sinjalizojnë ndonjë ndryshim të status quos”.       

“BE-ja është duke kryer momentalisht vlerësimin rutinor struktural të urës dhe të studimit planifikues urban të zonës rreth saj duke pasur parasysh kohën që ka kaluar nga revitalizimi i urës në Mitrovicë. Autoritetet e Kosovës ishin të informuara paraprakisht në mënyrë të duhur” thuhet në përgjigjen e BE-së.

“Ky vlerësim nuk sinjalizon asnjë ndryshim të status quos, por ka për qëllim të sigurojë që cilido vendim rreth së ardhmes së urës do të jetë në bazë e informatave më të fundit, të sakta dhe të dhënave objektive teknike. BE-ja është duke u koordinuar për të afërmi me partnerët ndërkombëtarë në Kosovë lidhur me të ardhmen e urës”.

Në fund kanë përsëritur thirrjen që të gjitha marrëveshjet nga dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, përfshirë edhe ato që kanë të bëjnë me urën, duhet të zbatohen në tërësi.