Arbëri

BE-ja është në proces të heqjes së masave ndaj Kosovës

Kosova, Bashkimi Evropian

Foto-Ilustrim: KOHA

Drejtori i Përgjithshëm për zgjerim i Komisionit Evropian, Jan Gert Koopman, i njohur në qarqet diplomatike si arkitekti kryesor i masave ndëshkuese ndaj Kosovës, ka konfirmuar të enjten në Parlamentin Evropian se BE-ja është në fazën e heqjes së këtyre masave dhe se shpreson që në javët e ardhshme do të hiqen të gjitha masat që kanë të bëjnë me pjesën financiare.

“Kemi filluar tashmë me heqjen e masave dhe jemi në një fazë vendimtare në të cilën do të donim të avancojmë programimin. Bëhet fjalë për një shumë të madhe parash, më shumë se 400 milionë euro. Prandaj jemi në diskutime të thella me autoritetet tona, sepse edhe ato duhet të pajtohen dhe shpresoj se do të jemi në gjendje ta finalizojmë këtë gjatë këtij muaji”, ka thënë Koopman.

Por ai ka lënë mundësinë për vonesa të reja, pasi ka thënë se pastaj duhet prapë komiteti i vendeve anëtare ta aprovojë.

“Shpresoj të jemi në gjendje ta finalizojmë para fundit të këtij muaji, në mënyrë që pastaj të shkojë në komitete, komiteti i vendeve anëtare për aprovim. Kjo pastaj do të zhbllokonte programimin. Ndërkohë, ne jemi duke u siguruar që të ecë përpara kontraktimi. Pra, mes programimit dhe kontraktimit ne efektivisht do të arrijmë heqjen e të gjitha masave financiare dhe kjo është ajo që ka thënë presidentja e Komisionit Evropian, ajo që kemi planifikuar dhe që po e bëjmë”, ka thënë Koopman.

Ky zyrtar i lartë i Komisionit Evropian këtë përgjigje e dha pasi u pyet nga raportuesi për Kosovën në Parlamentin Evropian, Riho Terras.

Koopman, në fakt, ishte ftuar në Komisionin e Politikës së Jashtme të Parlamentit Evropian për të folur për planin e rritjes për Ballkanin Perëndimor. Ai edhe një herë konfirmoi se Kosova do të mund t’i marrë pagesat e para nga parafinancimi sapo të konstituohet Kuvendi dhe të ratifikohet marrëveshja.

“Sa i përket Kosovës, çështja është shumë e thjeshtë. Për një kohë të gjatë është e gatshme agjenda e dakorduar e reformave. Materialisht vendi po e zbaton atë, por për fat të keq, për t’i kryer pagesat si rezultat i këtij zbatimi na duhet ratifikimi nga ana e tyre”, ka thënë ai, duke shtuar se Kosova nuk ka mundur ta bëjë këtë, pasi praktikisht për një vit nuk ka pasur qeveri.

“Tash ne shpresojmë që kësaj do t’i vijë fundi pas zgjedhjeve në dhjetor dhe presim që qeveria të formohet shpejt. Pastaj ata mund t’i finalizojnë këto dokumente, që janë të rëndësishme për mbrojtjen e buxhetit të BE-së dhe në interes të taksapaguesve evropianë. E ne do të jemi të gatshëm të veprojmë shpejt”, ka thënë Koopman.