Pas shkarkimit të u.d. së kryeprokurorit Besim Kelmendi dhe përplasjeve brenda KPK-së, Zyra e BE-së ka kërkuar takim urgjent me të gjithë anëtarët. Ndërsa tri organizata të shoqërisë civile kanë paralajmëruar për rritje të rrezikut të kundërligjshmërisë në KPK. Për këtë arsye ato kanë kërkuar ndërhyrjen e gjykatës
Udhëheqës të Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë kanë kërkuar takim urgjent me kryesuesin e Këshillit Prokurorial të Kosovës, pas situatës së krijuar me shkarkimin nga pozita e ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi.
Zëvendësshefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Eva Palatova, siç ka raportuar “Betimi për Drejtësi”, ka kërkuar që takimi të mbahet të mërkurën dhe që në të të jenë të pranishëm të gjithë anëtarët e KPK-së.
“Dëshiroj t’ju kërkoj një takim urgjent të mërkurën, më 3 dhjetor, në orën 10:00 ose 11:00, varësisht nga koha kur jeni të disponueshëm ju dhe anëtarët e KPK-së, për të diskutuar zhvillimet e fundit në KPK, si vazhdim i çështjes së ngritur nga ambasadori Orav në letrën e tij të 28 majit drejtuar anëtarëve të Këshillit. Duke pasur parasysh rëndësinë e çështjes, është thelbësore që takimi të mbahet me pjesëmarrjen e të gjithë anëtarëve të KPK-së. Ju kërkojmë me mirësi të bëni organizimin për të siguruar që të gjithë anëtarët të kenë mundësinë të marrin pjesë”, thuhet në kërkesën e Palatovas.
Në maj të këtij viti ambasadori i BE-së në Kosovë, Aivo Orav, pati paralajmëruar se nismat, si ajo për shkarkimin e Kelmendit, nëse çohen përpara, do të konsiderohen nga BE-ja si pengesa të qëllimshme të reformës në drejtësi.
Një ditë më parë katër anëtarë të Këshillit Prokurorial janë larguar nga mbledhja, pasi kundërshtuan mbajtjen e saj me praninë e ushtruesit të ri të detyrës së kryeprokurorit, Agron Qalaj, që u zgjodh me pesë vota nga 10 të mundshme.
Pesë anëtarët që e zgjodhën Qalajn më 20 nëntor votuan të hënën edhe kundër raportit të zgjedhjes së një anëtareje të re të KPK-së.
Këto zhvillime janë cilësuar si tendencë për bllokimin e reformës në sistemin prokurorial edhe nga tri organizata joqeveritare.
“Më 20 nëntor 2025, në një mbledhje pa kuorum, në kundërshtim me ligjin, një pjesë e anëtarëve të KPK-së shkarkoi kundërligjshëm u.d. së Kryeprokurorit të Shtetit, z. Besim Kelmendi, duke caktuar në vend të tij në mënyrë të kundërligjshme z. Agron Qalaj. Në bazë të këtij vendimi, Qalaj mori pjesë në takimin e djeshëm, duke ua bërë kuorumin e nevojshëm një pjese të anëtarëve të KPK-së, shumica prej të cilëve kanë mandat vetëm deri në janar 2026, ashtu që të mundësohet vazhdimi i vendimeve të kundërligjshme”, thuhet në reagimin e organizatave joqeveritare IKD, Fol dhe Inpo.
Shoqëria civile i ka bërë thirrje gjykatës që sa më parë të pezullojë vendimin për shkarkimin e Kelmendit.
“Bazuar në deklaratën e Zyrës së Bashkimit Evropian, veprimet e KPK janë duke cenuar rrugën e Kosovës drejt Bashkimit Evropian. KPK duhet t’i ketë parasysh dhe t’i marrë seriozisht këto vërejtje, në mënyrë që të ruajë ligjshmërinë dhe integritetin e saj si institucion kushtetues që administron me sistemin e drejtësisë”, thuhet në reagim.
Situatën në Këshillin Prokurorial e ka komentuar edhe ish-ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila ka thënë se ky institucion prej kohësh është i kapur nga grupet e interesit.
“Që nga viti 2021, kur kemi nisur reformat në drejtësi, synimi ka qenë i qartë, heqja e kontrollit të një rrethi të ngushtë njerëzish, rritja e transparencës dhe llogaridhënies, eliminimi i ndikimit të grupeve të interesit që e kanë përdorur institucionin për interesa personale e grupore, forcimi i meritokracisë mbi lidhjet apo klanet dhe krijimi i një institucioni që funksionon në shërbim të publikut, jo të individëve të privilegjuar. Shumicës së anëtarëve aktualë të KPK-së kjo reformë u ka penguar që nga dita e parë.
Ata kanë përdorur çdo mjet të mundshëm për ta bllokuar, por nuk ia dolën dhe nuk do t’ia dalin, sepse drejtësia dhe interesi publik nuk mund të ndalen nga grupe të izoluara interesi”, ka thënë Haxhiu.
Ish-ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, e ka sfiduar në gjykatë vendimin e marrë me pesë vota për shkarkimin e tij, duke pretenduar se nuk pati kuorum për vendimmarrje.