Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Bashkim përçarës në Prishtinë

Rama - Musmurati

Pa mbështetjen e LDK-së, Përparim Rama ka vendosur të bashkëqeverisë në kryeqytet me PDK-në. Pasi ka shkarkuar drejtorë që janë të afërt me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhikut, ai i ka zëvendësuar me njerëz të PDK-së. Nga veprimi i Ramës është distancuar LDK-ja, sipas së cilës, marrëveshja nuk përfaqëson qëndrimin zyrtar dhe vullnetin e kësaj partie

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka emëruar nënkryetare të Komunës, Besianë Musmuratin e Partisë Demokratike (PDK), në vazhdën e emërimeve të reja në kuadër të kabinetit të tij.
Ditët e fundit, ai ka shkarkuar drejtorë komunalë të afërt me kryetarin e Lidhjes Demokratike (LDK), Lumir Abdixhikun, si Sokol Havollin e Sibel Halimin dhe i ka zëvendësuar me anëtarë të PDK-së. Të martën ka shkarkuar Samir Shahinin nga posti i drejtorit të Arsimit në Komunën e Prishtinës.

E emërimin e Musmuratit si nënkryetare, Rama e ka paraqitur si kapitull të ri bashkëpunimi me partinë e ranguar e dyta për kah numri i asamblistëve.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Po fillojmë një bashkëpunim të ri politik në kryeqytet edhe me Partinë Demokratike të Kosovës me qëllim zhvillimin e Prishtinës, për të mirën e qytetarëve të saj dhe të Kosovës. Zotohemi për qeverisje që tejkalon interesat partiake, duke vënë në dispozicion kapacitetet profesionale dhe njerëzore për realizimin e projekteve strategjike në dobi të qytetarëve dhe të mirës publike”, ka thënë Rama. “Nga sot, Besianë Musmurati emërohet në pozitën e nënkryetares së kryeqytetit, duke sjellë me vete përvojë të gjerë institucionale dhe ndërkombëtare”.

Ajo e ka vlerësuar lart profilin e Musmuratit.

“Me një angazhim mbi një dekadë në fusha si diplomacia, politika publike dhe menaxhimi institucional, ajo ka kontribuar në avancimin e proceseve vendimmarrëse dhe përfaqësimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare”, ka thënë Rama. “Përvoja e saj në Kryeqytet, veçanërisht në drejtimin e Arsimit, ka lënë gjurmë në përmirësimin e cilësisë dhe krijimin e kushteve më të mira për nxënësit dhe mësimdhënësit”.

Nga veprimi i Ramës është distancuar partia me të cilën ai fitoi garën në kryeqytet në dy palë zgjedhjet e fundit.

Sipas LDK-së, marrëveshja nuk përfaqëson qëndrimin zyrtar dhe vullnetin e kësaj partie.

“LDK njofton opinionin publik se nuk ka asnjë marrëveshje me PDK-në dhe asnjë parti tjetër politike në Prishtinë për bashkëqeverisje. LDK nuk ka marrë pjesë në asnjë proces ndërpartiak për ndonjë marrëveshje bashkëqeverisëse politike deri më tani”, thuhet në reagimin e LDK-së. “LDK ka strukturat e veta partiake, organet vendimmarrëse lokale dhe më gjerë; dhe këto struktura nuk kanë qenë pjesë e asnjë marrëveshjeje qeverisëse”.

Sipas kësaj partie, çdo marrëveshje tjetër nuk përfaqëson qëndrimin zyrtar të saj.

“Si e tillë, ajo nuk krijon obligime politike për LDK-në dhe nuk mund të konsiderohet si vullnet i organizuar i saj. Palët dhe subjektet e tjera politike e dinë shumë mirë se si ndërtohen marrëveshjet ndërpartiake me LDK-në; përmes strukturave zyrtare, transparencës dhe vendimmarrjes institucionale. Çdo përpjekje për ta anashkaluar këtë rrugë nuk përbën marrëveshje me LDK-në”, thuhet në reagimin e LDK-së. “Për çështjet tjera lokale, LDK do të angazhohet pas zgjedhjeve nacionale. Në këtë fazë, LDK dhe anëtarësia e saj janë të angazhuar plotësisht në procesin e ringritjes së përbashkët. Asnjë agjendë tjetër nuk mund ta zbehë këtë përkushtim”.

Edhe, drejtorët e shkarkuar e kanë kritikuar kryetarin Rama për vendimin.

Të hënën Sokol Havolli u shkarkua nga posti i drejtorit për Investime Kapitale. Në vend të tij u emërua Zyhrije Pllana.

“Është shkarkim. Të enjten kam pasur një takim me kryetarin. Më njoftoi se dëshiron të bëjë disa ndryshime”, ka thënë Havolli për KOHËN, duke shtuar se nuk ka kërkuar sqarime për arsyet e vendimit, por ka thënë se vendimi është i ndikuar nga PDK-ja.

E të martën, ka reaguar edhe Samir Shahini, pasi u shkarkua nga posti i drejtorit të Arsimit. Shahini në një postim në Facebook ka thënë se mandati i tij ka mbaruar me vendim të kryetarit të Prishtinës.

“Një gjë dua ta them qartë: puna që kemi nisur nuk ishte e zakonshme dhe nuk duhet të trajtohet si e tillë”, ka shkruar Shahini në Facebook. 

E, gazetarja Rajmonda Zhdrella ka vlerëson se bashkimi mes LDK-së dhe PDK-së në kryeqytet ka ndodhur kohë më parë, kur në balotazh PDK-ja dha mbështetje në heshtje për kryetarin Rama. 

Ajo thotë se qëndrimi që LDK-ja e ka shprehur për marrëveshjen, e lë të pasqaruar çështjen kryesore: se ku do të qëndrojnë tash asamblistët e kësaj partie.

“LDK-së i mbetet të na tregojë se a do të jetë Rama kryetar i LDK-së në Prishtinë, ku do të jetë pozicioni i LDK-së në Kuvendin Komunal sepse LDK-PDK bashkë i kanë numrat dhe nuk i duhet askush tjetër. Natyrisht se Rama me PDK-në dhe partnerët e tjerë të vegjël, por me votat e tyre mund të arrijë në 26. LDK-ja duhet të na tregojë se a do të mbetet në pozitë apo në opozitë në Kuvendin Komunal e krejt kjo përveç qeverisjes se kush do të bëhet drejtor ose jo do të ndikojë te ajo se kush është opozitë dhe pozitë në Kuvendin Komunal dhe mbi të gjitha në Prishtinë e dimë rëndësinë e ndërmarrjeve publike, do të përcaktohet se kush i udhëheq ndërmarrjet publike komunale”, ka thënë Zhdrella

Shefi i ri i asamblistëve të LDK-së, Egzon Pacolli, nuk iu përgjigj pyetjes nëse ai dhe kolegët e tij do ta mbështesin Ramën në Kuvend Komunal apo do të dalin në opozitë.

E gazetarja Zhdrella ka shtruar nevojën që ekzekutivi në kryeqytet të mos lë anash punët, pavarësisht vlimeve politike.

“Zhvillimet në Prishtinë po vazhdojnë, por do të ishte mirë që përveç zhvillimeve politike të vazhdojë puna, të largoheshin mbeturinat sepse është problem i madh. Në fund ky koalicioni LDK-PDK janë ndarë për mbeturinat, urojmë që tash që janë bashkuar të bëhen bashkë dhe t’i mbledhin mbeturinat”, ka thënë ajo. 

Në mandatin e parë, Rama ka pasur koalicion me PDK-në, por i cili ishte shkëputur rreth një vit para zgjedhjeve të fundit lokale.