Gjetjen e një zgjidhjeje për objektin e shkollës së dikurshme në fshatin Banullë të Lipjanit po e kërkojnë banorët e disa fshatrave. Ata ankohen për gjendjen e rëndë të kësaj ndërtese dhe për shndërrim në një pikë grumbullimi të përdoruesve të drogës
Dikur ishte vendi i dijes për afro dy mijë nxënës nga disa fshatra të Komunës së Lipjanit.
Por, tash e 10 vjet, objekti i ish-shkollës “Emin Duraku” në fshatin Banullë ndodhet në gjendje të rëndë. Madje, sipas banorëve, ai po shërben si pikë grumbullimi i përdoruesve të drogës.
Ata thonë se institucioneve u kanë kërkuar ta menaxhojnë ish-objektin e vjetër apo ta rrënojnë atë.
“Shqetësimi i banorëve të fshatrave Banullë, Gumnasellë, Gllogovc dhe Llugaxhi është që të bëhet diçka me këtë projekt. Së pari është mbyllur, pastaj është vjedhur dhe tash është demoluar komplet. Ky është një shqetësim i qytetarëve se këtu po vijnë në mbrëmje të rinjtë po përdorin mjete narkotike, po përdorin duhan, po bëjnë gjëra të këqija”, ka deklaruar Arsim Jashari, banor i fshatit Banullë.
Ndërkaq, Selatin Retkoceri, ish-nxënës i kësaj shkolle, ka thënë se ky objekt ishte sinonim i dijes dhe i kulturës, por tani është shndërruar në një gërmadhë.
Retkoceri ka kritikuar institucionet publike të cilat nuk po e trajtojnë këtë objekt, megjithëse disa herë ishin ngritur shqetësime nga banorët.
“Faji është i institucioneve që mua më duket sikur ato krimet në Siri dhe Egjipt që bëheshin mbi objektet kulturore, i njëjti krim është edhe këtu, sepse ky është objekt dije, objekt kulture ku është arritur shumë breza të shkollohen, të edukohen”, ka thënë Retkocerri, që është nga fshati Llugaxhi.
Ndërkohë, Komuna e Lipjanit prej disa ditësh nuk u është përgjigjur pyetjeve të KOHËS lidhur me këtë çështje.
Burime brenda komunës kanë thënë se në vitet e ardhshme ky objekt do të trajtohet në mënyrën më të mirë të mundshme dhe nuk do të ketë hapësirë për shqetësime të qytetarëve.
https://video.gjirafa.com/banoret-kerkojne-menaxhimin-e-ish-nderteses-se-shkolles-ne-banulle-ose-rrenimin-e-saj