Arbëri

Banorët e Davidovcit të Shtimes nuk duan t’i japin pronat për biznese

Banorët e fshatit Davidovc të Komunës së Shtimes prej disa muajsh po e bllokojnë vendosjen e pesë bizneseve në këtë parcelë publike prej rreth 3 hektarësh, që gjendet në mes të fshatit përgjatë magjistrales.

Ata ankohen se Kuvendi Komunal ka marrë vendim të ngutshëm pa i shqyrtuar kërkesat e banorëve për projekte konkrete.

Banorët kanë kërkuar nga kryetari i Komunës, Qemajl Aliu, t’i realizojë premtimet e fushatës.

“Ne kemi dorëzuar në Komunë projekte të ndryshme. Pikërisht në këtë pjesën kontestuese kemi dorëzuar projektin për ndërtimin e një shkolle me 12 klasa, përcjellë me kabinete, një sallë të sportit, një çerdhe dhe një ambulancë”, tha Elmi Sadriu, përfaqësues i fshatit Davidovc.

“Na ka shqetësuar shumë, pasi që kjo është pasuri e fshatit tonë dhe nuk na ka pyetur askush asgjë dhe kanë vendosur vetë kujt kanë dashur duke sjellë njerëz nga vende të tjera për t’i plotësuar nevojat e atyre personave”,m tha Hysri Baftiu, banor i Davidovcit.


 

“Presim së pari shfuqizimin e këtyre vendimeve, për të cilat u ka dhënë prona për disa biznese, ka banorë jashtë Komunës së Shtimes që ju ka dhënë leje për të ardhur dhe për të zhvilluar biznes në fshatin tonë. E që ne banorët në përgjithësi nuk pajtohemi me këtë”, tha Jahja Emini, banor në fshatin Davidovc.

KOHA ka kontaktuar me të gjitha këto biznese, por asnjëri prej pronarëve nuk ka pranuar të flasë.

Gejtalb Emini, drejtor për Urbanizëm, Pronë e Gjeodezi në Komunën e Shtimes ka thënë se këto vendime janë të trashëguara nga ish-qeverisja e kaluar, andaj janë të obliguar t’i zbatojnë ato.

“Nëse ne e marrim një vendim të ri të Kuvendit e rrezikojmë buxhetin e Komunës, sepse secili prej këtyre bizneseve është biznes serioze në Komunën e Shtimes dhe nuk jemi për t’i dëmtuar bizneset. Është e vërtetë që janë vonuar procedurat, por krejt kjo ka ndodhur që të mos shkaktohen probleme në mbarëvajtje të punëve që planifikohen të kryhen aty”, tha Emini.

Sipas zyrtarëve komunalë, këto biznese i kanë marrë pronat në shfrytëzim për 99 vjet dhe pritet të investojnë rreth 2 milionë euro duke punësuar qindra qytetarë.