Qytetarë nga Rugova e Pejës u mblodhën para Ministrisë së Planifikimit Hapësinor dhe Mjedisit për të kundërshtuar vendimin për ndalimin e shërbimeve ndërtimore në Rugovë.
Protestuesit thanë se ky vendim po dëmton jetën dhe zhvillimin ekonomik të banorëve të kësaj zone, duke kërkuar që institucionet ta rishqyrtojnë urgjentisht këtë masë.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoNë emër të bashkësisë lokale, Agron Nikqi tha se banorët e Rugovës nuk do të heqin dorë nga e drejta për të jetuar dhe zhvilluar pronat e tyre, duke e cilësuar vendimin si diskriminues dhe të padrejtë ndaj komunitetit lokal.
“Ne si qytetarë të asaj zone, 100 herë kemi kundërshtuar edhe ligjin e Parkut, edhe vendimet rreth tij, edhe Planin Hapësinor, i cili na ka cunguar dhe na ka përgjysmuar hapësirat tona lëvizëse dhe monitoruese në trevën e Rugovës”, tha ai.
Një nga organizatorët e protestës, Flamur Rexhbogaj, deklaroi se banorët po përballen me vendime që, sipas tij, po i trajtojnë si të huaj në tokat e tyre dhe po pengojnë zhvillimin e Rugovës.
“Sot nuk po përballemi thjesht me një letër zyrtare të nënshkruar në zyrat e ngrohta sipër nesh, por po përballemi me një thikë pas shpine që i bëhet secilit prej nesh, secilit malësor që me shekuj i mbajti gjallë këto bjeshkë me gjak, me djersë dhe me rreziqe jetike. Ai vendim që keni përpara, ai urdhër skandaloz për ngritje postblloqesh kontrolli, për sekuestrim mjetesh, për ndjekje penale dhe për trajtimin e banorëve autoktonë si kriminelë në tokën e tyre, është një akt izolimi, një dëbim i heshtur modern dhe një fyerje e rëndë për dinjitetin tonë”, ka shtuar Rexhbogaj.
E, ministrja në detyrë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, në konferencë për media pas protestës së banorëve të Rugovës tha se kërkesat e banorëve janë dëgjuar dhe se ministria ka ofruar zgjidhje për problemet e krijuara nga mungesa e planeve rregulluese për zonën. Ajo gjithashtu kritikoi komunën e Pejës.
“Kur kam ardhur unë në Ministri e kam analizuar dhe kam parë që Komuna e Pejës, nuk e ka hartuar planin rregullues. Pra, prej vitit 2022, kur Komuna e Pejës e ka pasur të drejtën edhe obligimin ta bëjë planin rregullues për zonën e Bjeshkëve të Nemuna, ajo nuk e ka bërë këtë plan. Dhe rrjedhimisht, qytetarët edhe sot, janë pa të drejta ligjore që u takon edhe jua garanton Kushtetuta, që në mënyrë të drejtë dhe në përputhje me ligjin, të ndërtojnë në trevat e tyre”, tha ajo.
Pacolli deklaroi se ekzistojnë vendime të prera të gjykatave për rrënimin e objekteve në parqet kombëtare dhe se kjo situatë është rezultat i mungesës së veprimit institucional nga Komuna e Pejës.
Ajo shtoi se vendimi për ndalimin e përkohshëm është marrë për të parandaluar ndërtimet e paligjshme derisa të përfundojnë procedurat administrative dhe të hartohet plani rregullues për zonën e Bjeshkëve të Nemuna.
“Komuna e Pejës, si zakonisht, kryetari aktual i Pejës, i ka mbyllur veshët, edhe nuk ka dashur as me dëgju, edhe siç e patë që jashtë, ai edhe i ka organizuar disa, sepse aty në protestë patë qytetarë që janë, ju kanë mohuar, ju ka mohuar të drejta me ndërtu me vite e vite të bëra. E shumë prej tyre që kanë ndërtuar e frikësohen edhe natën se mos po shkojnë ndonjë institucion t’ia rrënojnë. E unë me këtë vendim, unë është dashur me ndalë këtë problematikë. Se nuk mundem me leju që brenda mandatit tim, me u ndërtu në mënyrë joligjore e mos me bë asnjë hap për me ja u rregullu mundësinë, me ja u jap të drejtën qytetarëve me ndërtu në mënyrë të ligjshme”, shtoi ajo.