Arbëri

Bajrami: Politika korruptive e Albin Kurtit e faktorizoi Listën Serbe

Hykmete Bajrami

Deputetja nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka akuzuar kryeministrin në detyrë Albin Kurti se me "politika korruptive e ka faktorizuar Listën Serbe”. 

“Politika korruptive e Albin Kurtit arriti ta faktorizojnë Listën Serbe, duke e bërë aleate në bllokimin e institucioneve për një pozitë krejtësisht të parëndësishme në Kryesinë e Kuvendit. Rrallë kush e di se kush ka qenë nënkryetar Listës Serbe në kryesinë e Kuvendit prej se ekziston ky institucion. Por është fakt se me Albinin në qeveri kjo parti ka 9 deputetë në Kuvendin e Republikës, pavarësisht akuzave që askush nuk i mohon institucionet e udhëhequra nga Albin Kurti dhe njerëzit e tij kanë miratuar pjesëmarrjen e tyre në zgjedhjet e 9 shkurtit”, ka shkruar Bajrami në Facebook. 

Ajo ka thënë se përderisa bllokada po vazhdon në Kuvend, Kosova po rrëshqet drejt një krize të thellë ekonomike. 

“Përderisa bllokada vazhdon nga Kurti dhe aleatët e tij, Kosova po rrëshqet drejt një krize të thellë ekonomike. Sipas ASK-së norma e inflacionit është 4.3%, ndërsa për shportën bazë të konsumit inflacioni arrin në numra dyshifrore, deficiti tregtar po thellohet me shifra frikësuese, investimet kapitale të nivelit qendror janë më të ulëtat në histori e institucionet financiare janë në mungesë të thellë likuiditeti. Në të njëjtën kohë, energjia elektrike për bizneset më vitale në vend është 300% më e shtrenjtë. Thënë më thjeshtë, çmimet po rriten çdo ditë, importojmë pothuajse çdo gjë që konsumojmë, qeveria nuk investon para në ekonomi dhe secila familje sot është në kredi. Ndërkohë, atë pak ekonomi që kishim po shkatërrohet, sepse po sakrifikohet prodhimi vendor për të favorizuar tregtarët e energjisë, të cilët tashmë edhe me emra shihet se janë njerëz të afërt me Albin Kurtin”, ka shkruar Bajrami. 

Ndaj Bajramit ka reaguar zëdhënësi i Vetëvendosjes, Arlind Maxhuka. 

“Hykmete Bajrami paska thënë se Albin Kurti si askush tjetër e ka faktorizuar Listën serbe. Thua se nuk kemi jetuar ne hiç në Kosovë. Qe p.sh.. shikoni pikat e marrëveshjes mes PDK, LDK e Srpska për koalicion qeverisës dhe ndikimin e këtij subjekti dikur.  Pika e parë, e para, flet për themelimin e Zajednicës”, ka shkruar Manxhuka në Facebook.