Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka akuzuar qeverinë se po mashtrohet me propagandë për zhvillim ekonomik, ndërsa sipas saj, të dhënat e Bankës Botërore tregojnë se Kosova po përjeton tkurrjen më të madhe të popullsisë në botë.
“Banka Botërore ua rrëzon propagandën: Kosova është vendi i parë në botë për nga shkalla e tkurrjes së popullsisë. Më shumë njerëz ikin nga Kosova sesa nga vatrat e luftës. Prej kujt po ikin qytetarët? Prej lulëzimit ekonomik?”, ka shkruar Bajrami në Facebook.
Statusit të Bajramit iu kundërpërgjigj menjëherë ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, duke thënë se deputetja e LDK-së po manipulon me të dhënat. Ai ka sqaruar se rënia e numrit të popullsisë nga 1.76 milionë (sipas vlerësimit të Agjencisë së Statistikave për vitin 2023) në 1.6 milionë (sipas Censusit 2024) nuk nënkupton largim të 160 mijë personave brenda një viti, por korrigjim statistikor.
“ASK ka bërë vetëm vlerësime nga viti 2011 deri më 2023, të cilat nuk e kanë pasqyruar me saktësi ikjen e popullsisë në vitet e mëparshme, sidomos gjatë eksodit të madh të viteve 2014-2015, kur LDK-ja e Bajramit shkoi në koalicion me PDK-në e Listën Serbe, ashtu siç pak a shumë po përpiqen të bëjnë edhe sot”, ka shkruar Murati.
Ai shtoi se deklaratat e Bajramit tregojnë ose manipulim të qëllimshëm, ose mungesë njohurie për statistikat, gjë që sipas tij duhet të shqetësojë edhe për cilësinë e arsimit ku ajo ligjëron.