Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, i ka reaguar ministres në detyrë të Drejtësisë, Albulena Haxhiu, që të dielën në një konferencë për media e cilësoi gjyqtarin e Gjykatës Kushtetuese, Radomir Laban, si cenim për rendin kushtetues.
Bajrami ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje e presidentes Vjosa Osmani nuk u ka penguar përbërja e Kushtetueses kur më 2020 ishte rrëzuar Qeveria Hoti.
“FAKTE: As Vjosa Osmanit, as LVV-së nuk iu ka penguar përbërja e Gjykatës Kushtetuese kur kjo Gjykatë ka rrëzuar qeverinë në vitin 2020, asnjë zë, asnjë fjalë në atë kohë”, ka shkruar ajo në Facebook.
Bajrami ka shkruar se Vetëvendosje po përpiqet të shesë patriotizëm.
“Albulenë, Sulmet që ju bëni gjykatave tregojnë më shumë për ju sesa për gjykatat. Po i bëni gati 5 vjet në krye të Ministrisë së Drejtësisë dhe, përpos sulmeve ndaj gjykatave, asnjë punë, asnjë reformë s’ta mban kush mend. Mos mendoni që kemi harruar, të gjithëve na kujtohet se si pas sulmit terrorist në Banjskë, Radojçiqit iu krijua një korridor dhe ai iku në pikë të ditës nën vëzhgimin e kamerave dhe deri më sot asnjë shpjegim s’ka dhënë qeveria e LVV-së. Për më tepër, qeveria e LVV-së pas sulmit terrorist në Banjskë ka pasur mundësi që ta shpallë organizatë terroriste Listën Serbe, por nuk e ka bërë një gjë të tillë dhe sot provoni të shisni patriotizëm dhe, sa herë që ndonjë vendim i ndonjë institucioni nuk ju pëlqen, disi tentoni ta lidhni me Serbinë dhe Radojçiqin. Mos se po ju njohim!” ka shkruar ajo.
Sipas Bajramit, VV-ja dhe Osmani po e duan Kushtetuesen pa kuorum. Ajo ka thënë se kjo “veç Kosovës nuk i shkon për shtati”.
Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, më herët gjatë ditës ka thënë se gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, nga radhët e komunitetit serb, Radomir Laban, dyshohet se është bashkëpunëtor i Agjencisë së Inteligjencës në Serbi (BIA) dhe se ka raporte të afërta me kryeterroristin Milan Radoiçiq.
Presidentja Vjosa Osmani ditë më parë e tërhoqi kërkesën e saj drejtuar Gjykatës Kushtetuese lidhur me pasojat juridike pas dështimit të deputetëve për të konstituuar Kuvendin brenda 30 ditësh. Ajo u shpreh se këtë e bëri pasi Radomir Laban u caktua gjyqtar raportues. Osmani bëri të ditur se Labani ishte konsideruar si person i rrezikshëm për sigurinë kombëtare dhe rendin kushtetues, sipas raporteve të institucioneve të sigurisë të viteve 2018, 2021 dhe 2024.
