Arbëri

Bajraktari: Dënimi për ish-krerët e UÇK-së do të ishte shqetësues dhe me pasoja për vendin

Ardian Bajraktari

Avokati Ardian Bajraktari ka thënë se dënimi për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga Gjykata Speciale në Hagë, do të ishte jashtëzakonisht shqetësues dhe me pasoja për vendin. 

Sipas tij, institucionet duhet të angazhohen më tepër për të shpërfaqur se prapa këtij procesi qëndron Serbia.

“Dënimi për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës do të ishte jashtëzakonisht shqetësues me pasoja edhe për të kaluarën edhe për të tashmen e edhe për të ardhmen e vendit. Edhe institucionet do të duhej të angazhohen më tepër në drejtim të shpërfaqjes së asaj se prapa këtij procesi qëndron Serbia dhe autoritetet e saj”, ka thënë ai të hënën në “60 Minuta” të KTV-së.

Ai tutje është shprehur optimistë se nëse ka drejtësi, fundi i procesit do të rezultojë me pafajësinë e tyre.

“Vlerësoj se në këtë fazë të procesit është shumë e rëndësishme dhe esenciale që të aprovohet kërkesa e palës mbrojtëse për sa i përket kësaj çështjeje në mënyrë që të vazhdohet edhe me pjesën tjetër dhe unë jam shumë optimist që fundi i procesit, nëse kemi drejtësi, do të rezultojë me pafajësinë e tyre. Vlerësoj se në fund të vitit, eventualisht në fillim të vitit të ardhshëm do të mund të kemi një epilog, së paku në shkallë të parë”, ka thënë ai. 

I pyetur se sa ka arritur mbrojtja të ofrojë prova bindëse për klientët e saj, Bajraktari ka thënë se është e gjymtuar pasi ka pasur kohë të limituar. 

“Në bindjen time ka qenë e hendikepuar dhe pasur një tendencë për ta minimizuar rolin dhe funksionin e saj, bazuar në faktin që kohëzgjatja e paraqitjes së prokurorisë përfshirë dëshmitarët, në raport me palën mbrojtëse ka qenë diametralisht e kundërt, pasi pala mbrojtëse ka pasur të limituar kohën”, është shprehur ai.