Lidhja Demokratike e Kosovës e vlerëson skandaloze deklaratën e Ministrisë së Industrisë pas shqiptimit të gjobës ndaj KEDS-it nga 1500 deri 5000 euro për secilin njehsor me afat të skaduar të vlefshmërisë.
Anëtari i LDK-së, Visar Azemi, ka thënë se ministria po mburret me gjobat, por se po tregohet selektive. Ai ka theksuar se gjobat e vëna përveç selektive janë edhe të manipuluara dhe nuk trajtojnë thelbin kryesor të problemit.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoAi ka shtuar se qytetarët që janë faturuar padrejtësisht do të duhej të kompensoheshin. Siç ka thënë ai, anëtarë të LDK-së janë në prokurori për të dhënë dëshmi për faktet që thotë se i kanë gjetur lidhur me njehsorë.
“Pra, po le ta gjobisin KEDS-in, madje jo me 1,500 euro por me 5,000 euro me gjobën maksimale, por qëllimi kryesor duhet të jetë të kompensohen qytetarët e Republikës së Kosovës, të cilët i kanë faturuar padrejtësisht duke i manipuluar njehsorët elektrikë të tyre dhe duke i fshehur faktet dhe dëshmitë, të cilat edhe sot në këto momente kur po flasim janë duke ndodhur dy gjëra: E para, në terren KEDS dhe Ministria po i bëjnë ndërrimet e njehsorëve. Dhe e dyta, anëtarët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, të cilët kanë qenë pjesë e ekipit tim, janë në prokurori duke dhënë dëshmi për faktet e gjetura tona, të cilat i kemi bërë të njohura”, ka thënë Azemi.
Javë më parë, LDK-ja ka denoncuar se njehsorët e rrymës po kalkulojnë me orë të gabuar shpenzimet – duke përllogaritur me orë të shtrenjtë në kohën kur njerëzit mendojnë se po kursejnë me orë të natës. LDK pretendon se nga 884 njehsorë të verifikuar sipas tyre, 87% e njehsorëve për matjen e energjisë elektrike faturojnë qytetarët më shtrenjtë edhe kur tarifa është me të lirën.
Raportimet nxitën edhe formimin e një Komisioni të posaçëm nga Ministria e Industrisë, që ka tërhequr për verifikim njehsorët e dyshimtë. Pas formimit të Komisionit, numri i ankesave ka kaluar mbi 500.
KEDS-i në anën tjetër ka mohuar pretendimet.
KOHA pati raportuar në dhjetor të 2024-s se si banorët e një blloku banesor në Fushë-Kosovë kanë thënë se ora nëpër njehsorë figuron disa orë para ose prapa kohës reale, dhe kësisoj ua pamundëson përpjekjet për kursim. KEDS-i atëkohë pati ftuar qytetarët që të ankohen për këtë çështje. E në qershor të 2023-tës, KOHA pati raportuar se verifikimi i njehsorëve elektrikë nga zyrtarët e Agjencisë së Metrologjisë është bërë në laboratorë të KEDS-it edhe pse kjo ishte praktikë e ndërprerë prej 2019-s, me arsyetimin se përbën shkelje të Ligjit për Metrologji.
Në strukturën e tarifave me pakicë të energjisë elektrike për konsumatorët me shërbime universale të furnizimit është përcaktuar që tarifa e lartë aplikohet prej orës 07:00 deri në 22:00 gjatë periudhës 1 tetor deri më 31 mars, kurse prej orës 08 deri në 23:00 gjatë periudhës 1 prill deri më 30 shtator.
Tarifa e lartë për konsumatorët të cilët shpenzojnë më pak se 800 kilovatë orë energji elektrike në muaj është 9.05 centë për kilovat, teksa ajo e ulët është 3.88 centë për kilovat.
E për konsumatorët të cilët shpenzojnë mbi 800 kilovatë orë, tarifa e lartë është 15.43 centë, ndërsa ajo e ulëta 7.28 centë.