Avokati Arianit Koci ka shprehur gatishmërinë që të jetë kundërkandidat i Glauk Konjufcës për postin e presidentit të Kosovës, duke thënë se këtë hap po e ndërmerr për të shmangur bllokadën institucionale dhe mundësinë e zgjedhjeve të reja.
Përmes një postimi në Facebook të enjten, Koci theksoi se vendi nuk duhet të mbetet vazhdimisht në cikël zgjedhjesh dhe bllokadash politike.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoAi ka shkruar se, edhe pse e di që gjasat për t’u zgjedhur janë të vogla, është i gatshëm të kandidojë në mënyrë që të krijohet mundësia e dy kandidatëve për zgjedhjen e presidentit dhe të zhbllokohet procesi.
“Kosova nuk mund të mbetet vazhdimisht në cikël zgjedhjesh dhe bllokadash. E di se nuk ka gjasa, por për të shmangur zgjedhje të reja dhe bllokimin e institucioneve, po ofrohem si kundërkandidat i Glauk Konjufcës”, ka shkruar Koci.
Sipas tij, edhe nëse vendi shkon në zgjedhje të reja, nuk është e sigurt se rezultati politik do të ndryshojë ndjeshëm.
“Me këtë raport të forcave, nuk besoj se edhe pas zgjedhjeve të reja do të ketë ndonjë rezultat që do ta ndryshojë esencialisht gjendjen”, ka shtuar ai.
Koci bëri të ditur se për ta formalizuar kandidimin për president nevojiten 30 nënshkrime të deputetëve dhe u bëri thirrje atyre, si nga mazhoranca ashtu edhe nga opozita, që t’ia japin nënshkrimet për të plotësuar kushtin e dy kandidatëve në procesin e zgjedhjes së presidentit.
Ai theksoi se këtë hap po e ndërmerr me vetëdije të plotë, edhe pse mund të ketë pasoja personale për të.
“Askënd nuk e kam kontaktuar për t’ia kërkuar votën. As nuk e thërras. Këtë hap po e bëj si një qytetar që nuk dëshiron ta shohë vendin e tij keq”, ka shkruar Koci në fund.
Kryeparlamentarja Albulena Haxhiu gjatë një konference ditën e djeshme ka thënë se nuk mund ta thirr seancën për zgjedhjen e presidentit pa qenë edhe dy kandidatë. Deri tash, zyrtarisht i propozuar është vetëm Konjufca.