Shërbimi Spitalor Klinik Universitar (SHSKUK) ka mbajtur në stokun farmaceutik artikuj me afat të skaduar, thuhet në një nga gjetjet e Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA).
Në raportin për pasqyrat financiare për vitin 2025, ZKA-ja ka konstatuar se në regjistrat e stokut farmaceutik figuronin 7 artikuj në vlerë të përgjithshme 58.154 euro, të cilëve u kishte kaluar afati i përdorimit gjatë vitit.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoSipas auditorit, kjo ka ndodhur për shkak të mungesës së monitorimit të rregullt të afateve të skadencës së barnave në stok.
“Si rrjedhojë, për të njëjtat nuk ishte bërë dalje si artikuj të skaduar në sistemin e menaxhimit të stokut farmaceutik. Kjo vlerë ishte përfshirë në raportin aktual të stoqeve të prezantuara në PFV. Kjo kishte ndodhur si rezultat i mungesës së monitorimit të rregullt të afateve të skadencës së barnave në stok, po ashtu kontrollit të pamjaftueshëm periodik të stokut për të siguruar që barnat me afat të skaduar të evidentohen dhe të trajtohen sipas procedurave përkatëse”, thuhet në raport. “Mbajtja e barnave me afat të skaduar në stok ndikon në paraqitjen jo të saktë të vlerës së stokut në pasqyrat financiare duke i mbivlerësuar ato”.
KOHA ka raportuar për mungesën e transparencës së SHSKUK-së lidhur me vlerën dhe sasinë e barnave me afat të skaduar, e po ashtu edhe se si sivjet ka pranuar ampula me 3 muaj e 17 ditë afat të mbetur.
ZKA-ja ka evidentuar edhe vonesa në furnizimin me aparatura dhe zgjatje të paautorizuara të afateve kontraktuale, duke konstatuar mungesë të monitorimit efektiv të zbatimit të kontratave.
“Në katër pagesa për blerje të aparaturave mjekësore në vlerë të përbashkët prej 927.200 euro janë evidentuar vonesa në liferimin e mallrave përtej afateve të përcaktuara kontraktuale. Përkundër këtyre vonesave, nuk kemi gjetur dëshmi se janë aplikuar penalët e paraparë me kontratë. Afatet e zgjatjes së kohës së liferimit ishin aprovuar nga menaxherët e kontratave pa e marrë aprovimin e ZKA-së. Vonesat e identifikuara variojnë nga 3 ditë deri në 52 ditë”, thuhet në raportin e ZKA-së.
Sipas raportit, vonesat kanë ndikuar në mosrealizimin me kohë të projekteve, ndërsa zgjatja e paautorizuar e afateve ka cenuar menaxhimin e kontratave.
SHSKUK-ja ka pranuar opinion të kualifikuar, që nënkupton se pasqyrat financiare nuk janë plotësisht në përputhje me standardet e raportimit.
E, në përgjigjet e SHSKUK-së dhënë KOHËS, thuhet se produktet me afat të skaduar që janë evidentuar, nuk janë rezultat i furnizimeve apo blerjeve të realizuara me afat të skaduar nga ky institucion.
“Asnjë material nuk është pranuar në stok me afat të skaduar në kuadër të procedurave të furnizimit të institucionit”, thuhet në përgjigje. “Produktet e përmendura në raport përbëhen nga uniforma të siguruara për nevojat e personelit gjatë periudhës së pandemisë Covid-19. Këto furnizime janë realizuar për të garantuar mbrojtjen dhe gatishmërinë e stafit shëndetësor në kushtet e një situate emergjente dhe të paparashikueshme”.
Sipas SHSKUK-së, për shkak se një pjesë e këtyre artikujve nuk është përdorur, ato kanë mbetur në stok deri në arritjen e afatit të tyre të përdorimit, i cili ka qenë deri më 31 dhjetor të vitit të shkuar dhe se nga 1 janari i sivjetmë janë larguar automatikisht nga sistemi dhe nuk figurojnë më në stok.