Udhëheqësve të departamenteve në Ministrinë e Punëve të Jashtme do t’u duhet të aplikojnë nëse duan t’i mbajnë ato. Pas miratimit të rregullores së re për risistemim të pozitave si pasojë e shuarjes së ministrisë së diasporës, në MPJ thonë se mund të ketë edhe dyfishim të pozitave. Procesi është përcjellë me pakënaqësi për shkak të pretendimeve se po avancohen zyrtarë të pakualifikuar, për çka është kërkuar edhe ndërhyrja e Agjencisë Kundër Korrupsion
Dyfishim të pozitave brenda Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka prodhuar sistemimi i ish-ministrisë së diasporës. Por procesi që për udhërrëfyes ka një rregullore të re, është përcjellë me shumë pakënaqësi, gjë që dëshmohet përmes dokumenteve brenda këtij dikasteri.
Ky ndryshim do t’i prekë edhe udhëheqësit e departamenteve, për të cilat ministria përmes një thirrjeje të brendshme u ka kërkuar që t’i dërgojnë tri preferenca për sistemim në njërin prej tyre. Në total janë 51 pozita për të cilat është shpallur thirrja.
“Kjo kërkesë për shprehje të interesit nuk ka karakter obligues, por është element që do të konsiderohet nga komisioni i strukturimit dhe do të mund t’i shërbejë atij në dërgimin e propozimeve Departamentit për Menaxhimin e zyrtarëve Publikë në Ministrisë në Punëve të Brendshme (DMZP/MPB), në pajtim me kriteret e posaçme lidhur me arsimin, përvojën dhe kualifikimet e posaçme formale të miratuara nga DMZP/MPB”, thuhet në kërkesën për shprehje të interesit.
Në MPJ kanë thënë se tashmë është themeluar Komisioni i ristrukturimit dhe ai brenda afateve të caktuara do të bëjë propozimet përkatëse për secilën pozitë që është ndryshuar apo është shuar.
“MPJD-ja tani është në fazën tranzitore të implementimit të kësaj rregulloreje, e cila do të përfundojë me procesin e ristrukturimit dhe sistematizimit të vendeve të punës që do ta bëjë komisioni i pavarur dhe profesional, i cili është themeluar dhe udhëhiqet nga Njësia për Menaxhimin e Zyrtarëve Publikë (MPB). Komisioni brenda afateve ligjore do ta përmbyllë këtë proces, çka konsiderohet se ka hyrë plotësisht në zbatimin rregullorja e re. Deri në përfundimin e procesit të ristrukturimit dhe sistematizimit, të gjithë zyrtarët e MPJD-së vazhdojnë t’i kryejnë detyrat dhe përgjegjësitë sipas akt emërimeve që kanë”, shkruan në përgjigjen dërguar “KOHËS”.
Teksa zyrtarëve u është lënë mundësia që të aplikojnë edhe për qëndrim në pozitën aktuale, atyre u është bërë e qartë se postet janë të dyfishuara.
Në MPJ e kanë arsyetuar dyfishimin e pozitave me obligimet që derivojnë nga ligji.
“Duplifikimi i posteve është paraqitur pas bashkimit të dy ministrive, sepse ka pozita drejtuese te Departamente/Divizione të ndryshme të cilat kanë pasur drejtor/udhëheqës me akt-emërim, edhe në ish-MPJ edhe në ish-MDIS. (Shembull pozita e udhëheqësit të Financave, ose IT dhe Logjistikës etj.) Prandaj pas hyrjes në fuqi të rregullores se re, ashtu siç edhe është obligim ligjor, të gjithë udhëheqësit e departamenteve dhe divizioneve janë njoftuar me shkrim nëse pozita e tyre është shuar apo ka ndryshuar”, thuhet në përgjigjen e MPJ-së. “Komisioni i ristrukturimit e ka për detyrë që t’i rekomandojë të gjithë zyrtarët sipas akt-emërimeve që mbajnë dhe kritereve të pozitave të reja se ku mund dhe duhet të sistemohen. Vendimi për çdo zyrtarë të rekomanduar merret nga Njësia për Menaxhimin e Zyrtarëve Publikë në MPB”.
Me rregulloren e re është shuar pozita e drejtorit të Përgjithshëm, megjithëse ajo parashihet në ligjin për shërbimin e jashtëm. Sipas përgjigjes, ligji i ri për Administratën Shtetërore nuk e ka paraparë edhe këtë nivel të organizimit brenda ministrive.
“Me hyrjen në fuqi të Ligjit të ri për Administratën Shtetërore, ishte shfuqizuar ligji paraprak dhe çdo dispozitë tjetër në kundërshtim me këtë ligj. (Pra edhe çdo strukturë tjetër që ishte përcaktuar në ligje të tjera, si në rastin e ligjit për shërbimin e jashtëm që ishte përcaktuar drejtoria e përgjithshme).
Ligji i ri për Administratën Shtetërore ka përcaktuar vetëm këto nivele të organizimit të brendshëm të ministrive: 1.1. sekretari i përgjithshëm; 1.2. departamentet, dhe 1.3. divizionet.
Pra, ky ligj nuk ka përcaktuar mundësinë e krijimit të strukturave të tjera siç është rasti me ‘Drejtorinë e Përgjithshme’”, thonë në MPJ.
Ministrja Donika Gërvalla kishte marrë vendime për emërim, edhe para miratimit të rregullores së re. Ka angazhuar Hamdi Bërbatovcin si auditor të brendshëm, ndërsa Behar Isma është emëruar drejtor i Akademisë Diplomatike e ushtrues detyre i sekretarit. Vendimmarrjen e kishte kundërshtuar Shoqata Sindikale.
“Angazhimi i Auditorit të Brendshëm - z. Hamdi Bërbatovci përveç se është bërë, ende pa u rregulluar baza ligjore për fuzionim, paraqet konflikt interesi kur në njësinë audituese gjendet familjarja e tij që me këtë rast, sipas etikës profesionale, nuk është e paanshme me punën dhe angazhimet e fushës së auditimit”, shkruan në reagimin e Shoqatës, me të cilin ishte njoftuar edhe kryeministri dhe Komisioni Parlamentar për Punë të Jashtme.
Shkelje janë evidentuar edhe në rastin e Ismës.
“Në këtë rast nuk janë plotësuar edhe kriteret e tjera që kërkohen për një pozitë të tillë të lartë, si grada diplomatike, përvoja në diplomaci, të cilat nuk i plotëson z. Isma. Madje ai vjen nga një pozitë shumë e ulët dhe nuk mund të konsiderohet ekuivalente, ngritja nga koeficienti 9 në atë 16, si dhe raste të tjera të avancimeve dhe fuzionimeve pa bazë ligjore që kanë ndodhur në të kaluarën”, shkruan aty.
Këto pretendime janë ngritur edhe pranë Agjencisë Kundër Korrupsionit, ku shoqata ka kërkuar shqyrtimin e ligjshmërisë së emërimeve të ministres Gërvalla.