Komuna e Shtimes nuk është duke e respektuar një vendim të Ministrisë së Mjedisit, e cila ndalon betonimin e shtretërve të lumenjve. Sipas Ministrisë, edhe aty ku tashmë kanë nis punimet, ato duhet ndalur nëse nuk e kanë kaluar 90 për qind të realizimit. Po në lumin Shtimjanja, punët as nuk kanë arritur 90-përqindëshin e përfundimit dhe vazhdojnë pa asnjë pengesë
Kanë vazhduar punimet në betonimin e shtratit të lumit “Shtimjanja” në Shtime, pavarësisht vendimit të Ministrisë së Mjedisit, për pezullim të përkohshëm të punëve.
Pezullimi i punimeve që janë në ndërtimin e sipër nëpër shtretërit e lumenjve, ndodh për shkak se Ministria e Mjedisit ka vendosur që të ndalojë betonimin e shtretërve të lumenjve.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Aktualisht janë duke u zhvilluar aktivitete për rregullimin e lumenjve në komunat e Shtimes dhe Deçanit. Bazuar në vendimin e ministres së Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, znj. Fitore Pacolli, urdhri i përkohshëm për pezullimin e punimeve vlen për segmentet lumore që nuk kanë përfunduar mbi 90 për qind të punimeve”, thuhet në një përgjigje të Ministrisë.
Komuna e Shtimes, ndërtimin e shtratit të këtij lumi e ka nisur në fund të vitit 2025.
Në një përgjigje për KOHËN, theksohet se në arsyetimin e vendimit të ministrisë theksohet se: “Ky vendim si më lartë nuk cenon substancën e kontratave ekzistuese, por kërkon përshtatjen e tyre teknike me standardet mjedisore në fuqi, duke garantuar që mjetet publike të shpenzohen në projekte që nuk dëmtojnë mjedisin”.
“Rrjedhimisht, Komuna e Shtimes, ka bërë një rishikim të kontratës, në segmentet e mbetura, në mënyrë që zbatimi i tyre të jetë në përputhje të plotë me standardet mjedisore dhe kërkesat ligjore në fuqi”, thuhet në përgjigje, por nuk është treguar për arsyet se pse punët vazhdojnë në lumë.
Lumi Shtimjanja kalon përmes fshatit Vojnoc, ku për vite me radhë banorët janë përballur me vërshime.
Megjithatë, kryetari fshatit, Musë Shabani, shpreson se në këtë mënyrë, do të parandalohen vërshimet në të ardhmen.
Por ai ka thënë se nuk di asgjë rreth vendimit të Ministrisë së Mjedisit.
“Me ju thanë të drejtën, këto vitet e fundit, gati çdo herë që ka ra shi ka qenë e pamundur mos me vërshu lumi edhe gati krejt fshatin e ka marrë uji. Shtëpitë po se po, por edhe tokat bujqësore kanë qenë të dëmtuara. Fshatarët kanë qenë të kënaqur sepse siç po shihet, e ka një gjerësi jashtëzakonisht të mirë, jo sa është lumi, por është zgjeruar më tepër. Konsideroj që ka me pasë shumë dobi fshati dhe nuk ka me pasë më pasoja qysh ka pasur përpara me vërshime”, ka thënë Shabani.
Vendimi për ta ndaluar betonimin e shtretërve të lumenjve është mirëpritur nga ekspertë të ujërave dhe mjedisit, ngase qasja e deritashme përpos që ka dëmtuar ekosistemin, ka bërë që të përmbyten shumë zona e të dëmtohen prona të qytetarëve.
Por për të larguar betonin nga shtretërit e lumenjve në Kosovë, ku për vite me radhë janë bërë investime milionëshe, nuk ka fonde të mjaftueshme.
“Fatkeqësisht ka shumë projekte të tilla, por në këtë fazë nuk kemi fonde të mjaftueshme për të ndërhyrë në këto projekte. Në të ardhmen do të shohim edhe fonde nga BE-ja dhe fonde të tjera për të siguruar për kthimin e tyre në gjendje natyrale”, thuhet në një përgjigje të Ministrisë së Mjedisit.
Sipas këtij institucioni, projektet që janë duke u zhvilluar do të bëhen me materiale të përshtatshme për mjedisin.
“Pjesa e projekteve që janë duke u implementuar do të realizohet me materiale të përshtatshme për mjedisin si; gurë natyrorë, mbrojtje natyrore të brigjeve, mbjellje të drunjve dhe shkurreve etj., duke siguruar kështu mbrojtjen e shtratit të lumit në mënyrë natyrale dhe njëkohësisht ruajtjen e ekosistemit lumor”, thuhet në përgjigje.
Sipas Ministrisë, për projektet që nuk kanë filluar ende, por janë nënshkruar memorandume bashkëpunimi për to, do të ndërhyjnë bashkë me komunat përkatëse për eliminuar betonin në lumenj.
Një muaj më parë, Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, ka njoftuar se ka nxjerrë vendim për ndalimin e menjëhershëm të betonimit të shtretërve të lumenjve në gjithë Kosovën.
Sipas Pacollit, ky vendim i jep fund një praktike të vjetër, të dëmshme dhe të rrezikshme.
“Kjo praktikë jo vetëm që ka shkatërruar ekosistemet tona, por ka rritur ndjeshëm rrezikun për përmbytjen e vendbanimeve dhe tokave tona. Betoni nuk është as siguri e as pastërti. Përkundrazi, ai e kthen lumin në një ‘pistë’ ku uji merr shpejtësi marramendëse, duke u kthyer në një kërcënim serioz për pronat e qytetarëve”, pati kumtuar ajo më 8 prill.
Ajo pati vlerësuar se duke e lënë shtratin e lumit natyral, “ne lejojmë tokën të ‘marrë frymë’ dhe të thithë ujin, duke krijuar një mbrojtje natyrore e të qëndrueshme kundër vërshimeve.”
“Ky ndalim nuk cenon kontratat ekzistuese, por kërkon përshtatjen e tyre teknike me standardet mjedisore. Duhet të garantojmë që mjetet publike të shpenzohen vetëm në projekte që mbrojnë natyrën dhe rrisin sigurinë e jetës”, pati thënë Pacolli.
Sipas saj, me vendimin e marrë, po mbyllej “kapitulli i betonit të ftohtë” dhe po hapej “epoka e restaurimit të jetës”.