Politikani serb, Aleksandar Arsenijeviq, e ka pranuar që objekti ku u kap armatim në veri është nën pronësi të tij, por tha se nuk është vendbanim i përhershëm, pasi është stallë ku mban kafshët “dhe objekti është gjithmonë i hapur e i qasshëm për këdo”.
Ai ka thënë për KOHËN se gjendet jashtë Kosovës aktualisht dhe s’e ka ditur që do të ndërmerret aksion policor, derisa ka thënë se “sikur të kishte vënë re diçka të dyshimtë, do të isha i pari që do t’i njoftoja organet kompetente”.
“Stalla ku u gjetën armët nuk është vendbanimi im i përhershëm. Aty thjesht mbaj kalin për kullotë dhe objekti është gjithmonë i hapur dhe i qasshëm për këdo. Në rrethana të tilla, cilido ka mundur t’i lërë aty ato sende të dyshimta. Veçanërisht bie në sy fakti që ndër to është gjetur edhe një flamur rus, i cili kurrë nuk ka mundur të jetë pjesë e pronës sime, pikërisht për shkak të qëndrimeve të mia të njohura politike”, ka thënë Arsenijeviq.
Politikani serb ka shtuar se është paralajmëruar më herët se diçka e tillë do të ndodhë, derisa tha se është i gatshëm të marrë pjesë në secilin proces gjyqësor “që është i ligjshëm dhe i drejtë dhe të vërtetoj pafajësinë time”.
“...Megjithatë, deklarata e ministrit Sveçla më vë në një pozitë ‘shah-mat’ – nëse nuk paraqitem, do të konsiderohem fajtor; nëse vij, rrezikoj të arrestohem menjëherë. Jam mirënjohës që, përkundër gjithçkaje, nuk m’u është montuar edhe ndonjë drogë – sepse kjo do të ishte poshtërim edhe më i madh. Aktualisht gjendem te familja në Sombor, por jam i gatshëm të kthehem në shtëpi që në momentin kur të më sigurohet një gjykim i drejtë – edhe nëse për këtë duhet që një zyrtar policor të qëndrojë me mua 24 orë në ditë”, ka shtuar ai.
Për gjetjen e armëve në objektin e tij, Arsenijeviq tha se është kurdisje politike me qëllim që të eliminohet nga jeta politike, por “edhe largimin fizik nga vendi im, nga Kosova ime”.
Ai tha se do të kthehet në Kosovë vetëm kur do ta vlerësojë “se do të kem një gjykim të drejtë”.
Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka shkruar në Facebook të dielën se armët e gjetura janë për një njësit terrorist.
“Krimi nuk mund të fshihet kurrë, pavarësisht petkut që vesh. Veçanërisht përballë institucioneve tejet vigjilente e profesionale që po punojnë pa u ndalur në ofrimin e sigurisë e sundimit të rendit e ligjit në çdo cep të territorit të Republikës së Kosovës. Nuk do të ndalemi derisa në çrrënjosjen e plotë të mbetjeve kriminale e terroriste të Serbisë nga vendi ynë”, thuhet në njoftimin e tij në Facebook.