Një serbe e Mitrovicës dhe partneri i saj, anëtar i Forcave Ajrore kroate, janë arrestuar në Vis të Kroacisë nën dyshimin se kanë spiunuar për Serbinë. Përveç policisë kroate, në hetimin ndaj tyre është përfshirë edhe Europoli. Dyshimet janë që piloti kroat i ka dhënë sekrete të dashurës së tij, e ajo ia ka përcjellë Listës Serbe.
Sipas burimeve të medias kroate “Index”, të dy të dyshuarit janë intervistuar të mërkurën dhe tash pritet vendimi ndaj tyre.
Sipas informacioneve, piloti kroat ishte i angazhuar edhe në KFOR në Kosovë dhe ai dyshohet se i ka dhënë të dashurës së tij serbe informacione konfidenciale për t’ia përcjellë më pas pjesëtarëve të Listës Serbe. Sipas “Indexit”, i dyshuari i dha informacione partneres së tij mbi lëvizjet e serbëve në veri të Kosovës që nga fundi i vitit 2022 deri këtë vit, ashtu si edhe për lëvizjet e trupave të KFOR-it.
Mes tjerash, hetuesit dyshojnë se ai i zbuloi asaj informacione të rëndësishme lidhur me Zubin-Potokun, një prej komunave problematike mes serbëve e shqiptarëve të Kosovës në veri.

Zubin-Potoku ka qenë vend bllokadash, protestash e konflikti mes serbëve lokalë dhe autoriteteve të Kosovës, ashtu si edhe forcave ndërkombëtare, KFOR e EULEX.
Të dy po ashtu akuzohen për shkëmbim informacionesh lidhur me transportin e serbit të arrestuar Dejan Pantiq, ish-polic i Kosovës, i cili akuzohet për pjesëmarrje në sulmet ndaj zyrave të KQZ-së në Mitrovicën e Veriut.
Arrestimi i tij në dhjetor 2022 pati nxitur tensione nga serbët e Kosovës në komunat veriore - me barrikada të vendosura në Jarinje e Bërnjak që zgjatën për gati tri javë, me kërkesën e vetme: lirimin ose transferimin e Pantiqit nga burgu.
Meqë Kosova nuk ka helikopterë, Ministria e Brendshme kërkoi ndihmën e KFOR-it për transferimin e Pantiqit nga baza policore afër Jarinjës në një burg tjetër. Pas gati 19 ditësh, gjykata pati vendosur ta çonte në arrest shtëpiak. Dejan Pantiq është dënuar me dy vjet burgim për huliganizëm, por masa e tij e sigurisë është dorëzania prej 30.000 eurosh.
Sipas medias kroate, serbja e dyshuar ka punuar për një kompani të huaj në Serbi dhe në gazetari njihej si reportere nga Mitrovica.
Ata janë arrestuar më 25 korrik këtë vit. Piloti kroat ishte liruar fillimisht, kurse ndaj të dyshuarës ishte marrë vendimi për dëbim nga Kroacia dhe ishte vendosur në qendrën për të huaj në Trilje. “Index” raportoi se hetuesit kanë gjetur komunikime në telefonat e tyre përmes të cilave konkluduan se ishin pjesë të aktiviteteve të spiunazhit.
KOHA ka çuar pyetje në adresën e KFOR-it, Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe asaj të Brendshme, pas orës 17:00. Sapo të ketë përgjigje artikulli do të përditësohet.
Detaje të reja për të arrestuarit në Kroaci për spiunazh të Kosovës te Serbia
Pasi u raportua se Kroacia ka arrestuar një çift - një pilot të saj në KFOR dhe të dashurën e tij serbe nga Kosova - nën dyshimet për spiunazh të Kosovës te Serbia, të mërkurën në mbrëmje mediat kroate kanë publikuar detaje të reja.
Sipas raportimeve, piloti në të kaluarën kishte kaluar filtrat e sigurisë në autoritetet kroate. RTL ka shkruar se Ministria e Mbrojtjes e Kroacisë, ajo e Punëve të Brendshme dhe Zyra e Kryeministrit kanë qenë në dijeni për rastin tash e një kohë.
Gruaja serbe nga Mitrovica e Veriut ishte prezantuar si punonjëse e një organizate gjermane. Ajo dyshohet se kishte marrë informata nga ushtari kroat lidhur me lëvizjet e KFOR-it dhe se ato i ka përcjellë në Serbi. Të dy u arrestuan në fund të korrikut. Të mërkurën u raportua se të dy janë marrë në pyetje nga Prokuroria. Akuzohen për katër vepra penale.
E mediumi kroat “index.hr” ka shkruar se ushtari ka mohuar fajin dhe ka thënë se dikush po përpiqet ta kurthojë. Siç ka thënë ai para autoriteteve, “edhe e dahsura e tij ka qenë viktimë”.
Siç ka shkruar ky medium, gruaja nga Kosova kishte udhëtuar shpesh drejt Kroacisë.
Ndërkaq “vecernji.hr” ka shkruar se serbja ka pasur lidhje edhe me organizata të tjera ndërkombëtare, përfshirë ato të sigurisë.
Rasti ka nxitur reagime të shumta në Kroaci. “Është problem serioz i sigurisë. Do të shohim çka do të nxjerrin hetimet”, ka thënë Arsne Bauk, shef i Komisionit për Mbrojtje në Parlamentin e Kroacisë.
“Në kohëra të tilla, ne kemi një qëllim, të gjithë, pavarësisht nga cila parti jemi. Kemi një qëllim, që është siguria e të gjithë qytetarëve tanë, e të gjitha misioneve që i kemi”, ka thënë Sandra Bençiq, deputete në këtë komision.
Shqetësuese i ka vlerësuar raportimet për spiun potencial në Forcën Ajrore Kroate edhe deputeti Igor Peternel. Ai ka thënë se kjo bën që situata e sigurisë në Kroaci “të jetë shumë në dyshim”.