Gjatë seancës për vrasjen e Liridona Ademajt, prokurorja Javorka Perlinçeviq ka propozuar që të administrohen edhe disa prova përfshirë ajo për borxhin që kishte i akuzuar për vrasjen Naim Murseli.
Ajo ka treguar se vlera e borxheve që kishte Muresli ishte afër gjysmë milioni euro. i akuzuari për vrasjen e saj, Naim Murseli.
“369.968.77 euro [borxhi] dhe gjatë dëshmisë së vet të pandehurit, informata te cilat i ka dhënë hetuesve policorë, në njësinë e paraburgimit, ka pasur borxhe edhe ndaj personave fizikë në vlerë prej 106 mijë euro, që do të thotë se vlera e përgjithshme e borxhit të të pandehurit në mars të vitit 2024, kur është bërë analiza e gjendjes së tij financiare ka qenë 475,968,77 euro”, ka thënë Perlinçeviq.
Prokurorja gjatë administrimit të provave ka folur edhe për përgjigjen që kanë marrë nga shteti suedez lidhur me sigurimin jetësor të Liridonës.
“Dhe më tej pjesa tjetër është përgjigja e organeve kompetente të Mbretërisë së Suedisë, i cili na vërteton që nga ana e organeve të Suedisë, është pranuar një përgjigje që Liridona Murseli ka pasur një policë të sigurimit jetësor me fillim të vlefshmërisë 25 qershor 2022, në vlerën prej 3 milionë të kruneve suedeze, në të cilat nuk është cekur vazhduesi i përfitimit të sigurimit në rast të humbjes së jetës dhe në këto raste sipas ligjit, nëse nuk ka vartës pas vdekjes së saj, sipas ligjit më Suedi, shfrytëzuesi i policës do të ishte bashkëshorti”, është shprehur ajo.
Në seancë mungon Shaban Murseli, lexohet deklarata e tij e 2023-tës, kishte thënë se ndihet i rrezikuar
Në Prishtinë është duke u mbajtur seanca ndaj Naim Murseli, Granit Plava dhe Kushtrim Kokalla, të akuzuar për vrasjen e Liridona Ademajt.
Në sallë mungon babai i Naimit, Shaban Murseli.
"Dëshmitari Shaban Murseli të premten me datë 21.11.2025 në orën 14:30 e ka kontaktuar gjykatën përmes telefonit, numër që nuk është i Kosovës, është numër i Suedisë, që nuk mund të prezantojë në këtë shqyrtim gjyqësor", tha gjyqtarja Fatime Dermaku
Prokurorja propozoi që të lexohet si provë dëshmia e dëshmitarit Shaban Murselit, kjo u aprovua nga pala e dëmtuar, avokatët e të akuzuarve, si dhe nga vetë i akuzuari Naim Murseli
Këtë propozim e aprovoi edhe trupi gjykues dhe filloi me leximin e deklaratës së dëshmitarit Shaban Murseli.
Deklarata ishte dhënë nga Shaban Murseli në polici më 6 dhjetor 2023.
Në dëshminë e dhënë më 6 dhjetor të vitit 2023, Shaban Murseli, kishte thënë se për rastin ishte njoftuar në ditën e vrasjes.
“Më ka thirr djali i dytë Mërgimi e më pyeti ‘babë a ke fol me Naimin se po thonë se e kanë vra Lilin’, ndërsa unë jam shokuar nga ky lajm. E kam thirr bashkëshorten time dhe e kam pyetur se çka ka ndodh dhe i kam treguar, pastaj pas një kohe jemi takuar së bashku me bashkëshorten Sanijen, vëllain Asllanin dhe me bashkëshorten e tij Fatmiren, djalin Mërgimin ditën më 1.12.2023 në veturë ku kemi udhëtuar për Kosovë diku 40 orë dhe kemi arritur më 3.12.203 në orët e mëngjesit te Naimi ku kemi biseduar shumë gjatë me gjithë familjen”, ka thënë në dëshminë Murseli.
Ai ka thënë se s’ka vërejtur asgjë të dyshimtë në familje.
I pyetur nëse ka ndonjë dyshim që ka mundur të shtyrë Naimin drejt kryerjes së veprës, babai i Murselit ka thënë se nuk ka asnjë dyshim se çka ka mundur të ndodh.
Ai kishte treguar se kishte kontaktuar vëllain e Liridonës për të marrë pjesë në varrim, por i ishte refuzuar kërkesa.
Shaban Murseli kishte thënë se ndien rrezik për veten dhe familjarët.
“Po, shumë, pasi që po dëgjojmë mjaft fjalë edhe nga dajat e Liridonës të cilët janë nga Tropoja, që kanë thënë se këtë punë e kryejmë ne”, tha Murseli në dëshmi.
Liridona Ademaj u vra më 29 nëntor të vitit 2023 në Prishtinë.



