Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës (KPMSHCK) ka anuluar për herë të dytë konkursin për drejtor të përgjithshëm të Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës (AAC) pas ankesave të bëra nga kandidatët Arianit Islami, Besnike Ukmata dhe Lendita Kika-Berisha.
Ankuesit kanë pretenduar se procedura e rekrutimit është zhvilluar përmes shkeljeve ligjore, duke theksuar se udhëheqësja e njësisë së burimeve njerëzore s’ka vepruar sipas rekomandimit të Agjencisë për Parandalim të Korrupsionit e po ashtu se në listë janë përfshirë kandidatë që s’i plotësojnë kriteret e konkursit.
Kandidatët, Arianit Islami, Besnike Ukmata e Lendita Berisha, me pretendimet për konflikt interesi, i kanë kërkuar AAC-së para se të shpallej lista e ngushtë e kandidatëve, që ta përjashtojë nga procedura administrative e rekrutimit shefen e burimeve njerëzore, Safete Selmanin.
Tre kandidatët kishin insistuar se pjesëmarrja e saj në komision përbën konflikt interesi meqë pretendojnë se brenda një procedure rekrutimi, Selmani i kishte vlerësuar aplikacionin e tyre njëherë të suksesshme e njëherë të pasuksesshme. Ata kanë theksuar se me të kanë qenë të përfshirë në padi e kallëzime penale kundër njëri-tjetrit. Për të ankohen se u ka administruar edhe informacione të gabuara në CV-të e tyre.
Më pas kërkesën e dorëzuan në KPMSHCK dhe iu aprovua.
KPMSHCK-ja ia ka ndaluar Safete Selmanit të marrë pjesë në procese rekrutimi.
Konkursi ishte anuluar edhe vitin e kaluar.
