Analisti politik Ben Andoni ka thënë se moscertifikimi i dy partive serbe për pjesëmarrje në zgjedhjet lokale të 12 tetorit në Kosovë është bërë me qëllimin që të hiqet vëmendja nga dështimi për konstituimin e Kuvendit. Për këtë ai ka vënë fajin te Lëvizja Vetëvendosje si parti fituese e zgjedhjeve, por edhe si parti që kundërshtoi haptas në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve certifikimin e Listës Serbe.
“VV-ja në këtë kohë, sepse bllokimi duket se mban erën e tyre, po mundohet të krijojë incidente të tilla thjeshtë për të hequr vëmendjen nga shqetësimi më i madh publik që është konstituimi i kësaj legjislature sepse kjo s’do të duhej të ndodhte”, ka thënë ai në “Interaktiv” të KTV-së të premten.
Një ditë më parë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk e certifikoi Listën Serbe për pjesëmarrje në zgjedhjet lokale të 12 tetorit. Me dy vota për, dy kundër dhe shtatë abstenime, certifikimi u refuzua, pasi paraprakisht anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje në KQZ publikuan dokumente që tregojnë se kandidatë të Listës Serbe për kryetarë komunash apo asamblistë, mbajnë pozita në organet paralele të Serbisë në Kosovë. E të premten, kjo parti paralajmëroi ankesë në PZAP. Nuk u certifikua as partia Demokracia Serbe e Aleksandar Arsenijeviqit, i cili kërkohet nga autoritetet e sigurisë në Kosovë.
Andoni ka thënë se të gjitha partitë shqiptare në Kosovë kanë raporte me Listën Serbe. Megjithatë, sipas tij, është dashur më shumë diskriminim pozitiv, në mënyrë që serbët të angazhohen më pak në strukturat paralele.
“Lista Serbe luan me disa plane në Kosovë. E mbani mend se me qëllimet e konstituimit u fol se Lista Serbe gati kishte katër mandate për VV-në, por në votim të mbyllur. Kjo nuk ndodhi. Me çka kam parë, Lista Serbe për fatin e keq ka marrëdhënie me të gjitha partitë në Kosovë. Dukshëm, fshehurazi, herë pas here falë medias janë zbuluar gjëra që na bëjnë të jemi shumë të shqetësuar për anën tjetër të politikës së Kosovës, por s’duhet harruar që pjesa kur Lista Serbe merr pjesë në struktura paralele jo vetëm është e mirëditur në Kosovë, por duket në disa sidomos me disa raste, sidomos te VV-ja duket se e ka shtuar këtë peshë. Pse? Ka pasur mundësi në qeverisjen e VV-së që serbët e Kosovës të diskriminohen në formë pozitive. Sa më shumë të ndodhë kjo aq më pak do të kishte mundësi të merrnin pjesë në struktura paralele edhe pse e dimë që Beogradi s’mund të jetojë pa to”, ka thënë ai.
Andoni ka thënë se lëvizja pozitive te serbët është se serbët jashtë Kosovës po duan ta minimizojnë rolin e Listës Serbe. Sipas tij, serbët kanë nisur ta kuptojnë rolin e Listës Serbe dhe lidhjen e saj me Serbinë.
Ai ka thënë se edhe pse dihet historikisht lidhja e kësaj partie me strukturat paralele serbe në Kosovë, kjo parti megjithatë ka arritur të fitojë përkrahjen ndërkombëtare duke u viktimizuar vazhdimisht.
Andoni ka thënë se pavarësisht reagimeve ndërkombëtare për moscertifikimin e dy partive serbe, kryeministrit në detyrë Albin Kurti “nuk i intereson kjo”. Ai ka thënë se Kurti dhe politikanët tjerë në Kosovë “më shumë janë të interesuar për karriget se shtetin”.
Sa i përket moskonstituimit të Kuvendit deri tash, Andoni ka thënë se VV-ja ka fajin kryesor.