Ndryshe nga raportimet për përmbytje të reja e për bllokim rrugësh pas reshjeve, Agjencia e Menaxhimit Emergjent e ka vlerësuar situatën stabile dhe të menaxhueshme. E, Ministria e Mjedisit ka bërë të ditur se një numër ekipesh janë angazhuar për të intervenuar aty ku dëmet janë më të mëdha.
Ndonëse janë shkaktuar përmbytje e edhe janë ndërprerë për qarkullim rrugë pas reshjeve të pandërprera gjatë së shtunës, Agjencia e Menaxhimit Emergjent e ka vlerësuar situatën stabile dhe të menaxhueshme.
Sipas raportit të përditësuar të kësaj Agjencie, pas rënies së intensitetit të reshjeve, në shumicën e rajoneve është vërejtur përmirësim i dukshëm i gjendjes, me rënie graduale të nivelit të ujit në lumenj dhe përrenj.
“Situata paraqitet stabile dhe e menaxhueshme. Rreziku kryesor aktual lidhet me reshjet e borës, ngricat në rrugë, vështirësitë në qarkullim. Nuk ka indikacione për përshkallëzim të situatës”, thuhet në raportin e kësaj agjencie.
Reshjet gjatë gjithë javës kanë shkaktuar përmbytje në shumë rajone, duke shkaktuar dëme edhe në infrastrukturë. Janë prishur rrugë e është raportuar edhe për ura të shembura.
Ministria e Mjedisit ka bërë të ditur se një numër ekipesh janë angazhuar për të intervenuar aty ku dëmet janë më të mëdha.
“Ditëve të fundit, si pasojë e reshjeve të mëdha të shiut dhe borës, janë shkaktuar disa vërshime të cilat kanë prodhuar probleme në disa rrugë të Kosovës. Kërkojmë mirëkuptimin e qytetarëve deri në sanimin e plotë të këtyre problemeve dhe, nëse është e mundur, të evitohet qarkullimi i panevojshëm në këto pika”, thuhet në njoftimin e kësaj ministrie.
Krahas në infrastrukturë publike, dëme janë shkaktuar edhe në ekonomi familjare e biznese. Komunat kanë nisur evidentimin e dëmeve, por kanë raportuar mungesë buxheti për kompensim.
Drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, ka bërë thirrje për bashkëpunim më të madh midis nivelit qendror dhe atij lokal. Ai ka theksuar nevojën për krijimin e një fondi emergjent për të mbuluar dëmet e shkaktuara nga vërshimet.
“Kemi rastin se në disa komuna ende nuk është bërë rimbursimi i bizneseve apo bujqve që kanë qenë të prekur nga vërshimet nga vitet e kaluara dhe për këtë arsye ne si Asociacion po mendojmë që krijimi i një fondi emergjent për emergjenca në nivel lokal është i domosdoshme”, ka deklaruar Ibrahimi.
Vërshimet e datës 7 dhe 8 janar përfshinë Gjakovën, Malishevën, Rahovecin, Drenasin, Skenderajn, Klinën, Hasin e Prizrenit, Fushë-Kosovën dhe Mitrovicën e Jugut, si dhe komunat e veriut.