Ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guerot, ka thënë se Kosova mund të vetizolohet po që se i injoron miqtë ndërkombëtarë dhe nuk i respekton zotimet që i ka marrë përsipër.
Ai ka thënë se aktualisht Kosova nuk është e izoluar.
“Mesazhi i parë është: Kosova nuk është e izoluar, përveç nëse izolohet vetë. Ju nuk jeni të izoluar. Ne, pesëshja (QUINT), vendet e tjera të BE-së kemi qenë duke e mbështetur Kosovën për vite me radhë. Së fundmi, e rilexova sërish këshillën tonë juridike për Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në vitin 2009, ku shpjegohej pse Franca e mbështeti Kosovën në vitin 1999, në vitin 2008. Dhe mbështetja jonë është ende këtu. Mbështetja gjermane është ende këtu. Ju nuk jeni të izoluar. Dhe Kosova nuk është një ishull. Ajo ndodhet në mes të një rajoni që vetë është pjesë e kontinentit. Pra, ju nuk jeni të izoluar, përveç nëse izoloheni vetë. Si izoloheni vetë? Duke mos i dëgjuar miqtë, duke kultivuar vetëmjaftueshmëri morale, duke gjetur të gjitha arsyet e mundshme për të mos respektuar angazhimet e mëparshme. Prandaj, lutja, ashtu dëgjoni miqtë tuaj”, ka thënë ai.
Ambasadori Guerot këtë deklaratë e bëri në kuadër të konferencës “Kosova drejt Bashkimit Evropian: Rruga drejt një zgjidhjeje”, organizuar nga Lëvizja FOL dhe Instituti i Prishtinës për Studime Politike, ku u diskutua ngërçi aktual politik në rrugën e Kosovës drejt Bashkimit Evropian dhe bllokimi i procesit të normalizimit me Serbinë.