Arbëri

Alija: Dëshmia e Clarkut dhe të tjerëve do të vlerësohet ndryshe nga trupi gjykues

Avokati nga Fondi për të Drejtën Humanitare, Amer Alija, ka thënë se edhe dëshmia e ish-komandatit të NATO-s, Wesley Clark pritet të jetë në vijë të njëjtë me dëshmitarët e deritanishëm të mbrojtjes, në rastin e gjykimit ndaj Hashim Thaçit dhe të tjerëve në Hagë.

Alija në emisionin “60 Minuta” në KTV, deklaroi se pesha e këtyre dëshmitarëve është e lartë dhe pritet të vlerësohet nga trupi gjykues.

“Ish-komandanti i NATO-s, Wesley Clark, ka pasur kontakte direkte me komandantët e UÇK-së. Edhe dëshmia e Wesley Clark do të jetë në vijë me strategjinë të cilën e ka krijuar tashmë mbrojtja. Pesha e dëshmitarëve të propozuar nga mbrojtja ka qenë e ngjashme sepse qëllimi i dëshmitarëve është të tregojnë që struktura e UÇK-së ka qenë de-facto e jo de-jure. Në rastin konkret mbrojtja i ka përzgjedhur me kujdes zyrtartët, diplomatët e persona të tjerë për të treguar një gjë të tillë. Pesha e këtyre dëshmitarëve është e lartë dhe do të vlerësohet me një konsideratë tjetër nga trupi gjykues”, deklaroi Alija.

Alija po ashtu tha se të sigurohen këta dëshmitarë nuk ka qenë e lehtë për shkak të autorizimeve që iu duhet t’i marrin nga shteti i tyre, duke kujtuar që mbrojtja në fillim ka paralajmëruar 14 dëshmitarë e më vonë ky numër ishte reduktuar.

“Mbrojtja në fillim ka paralajmëruar që do t’i ftojë rreth 14 dëshmitarë, por me kalimin e kohës e kemi parë që numri është reduktuar, pikërisht për shkak të vështirësisë së marrjes së autorizimeve nga shtetet e caktuara për ta lejuar dëshmitarin e caktuar që të ndajë njohuritë e tij në lidhje me rrethanat që mbrojtja konsideron se do të shkojnë në favor të tyre”, deklaroi Alija në emisionin “60 Minuta” në KTV.

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, të enjten vazhdoi dëshminë e tij Michael Durkee, këshilltari i ish-komandantit të NATO-s për Evropë, Wesley Clark. Dëshminë e nisi një ditë më parë, ku tha se Thaçi nuk kishte rol ushtarak në UÇK, por vetëm politik. Durkee e kreu sot dëshminë. Ai ishte dëshmitar i gjashtë i mbrojtjes.

Seanca e radhës në këtë rast gjyqësor do të mbahet të hënën duke filluar nga ora 12:00 (me 45 minuta vonesë në transmetim) në të cilën do të dëshmojë gjenerali Wesley Clark. Clark do të jetë dëshmitari i fundit i mbrojtjes në këtë rast gjyqësor.