Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj tre personave – J.V., D.V. dhe I.D. – pas një hetimi të zhvilluar në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe me partnerë evropianë për sulmin në kanalin e “Ibër-Lepencit”.
Të pandehurit ngarkohen me disa vepra penale, përfshirë “Rrezikimin e rendit kushtetues me shkatërrimin apo dëmtimin e instalimeve publike”, “Kryerjen e veprës terroriste”, “Armëmbajtjen pa leje” dhe “Spiunazhin”.
Sipas aktakuzës, më 29 nëntor 2024, në fshatin Varagë të Zubin-Potokut, në kanalin “Ibër Lepenc”, J.V. dhe D.V., së bashku me persona të tjerë ende të paidentifikuar, kanë vendosur rreth 20 kilogramë eksploziv të llojit TNT brenda kanalit. Lënda shpërthyese është aktivizuar përmes një çante të lidhur me litar në një shtyllë betoni, duke shkaktuar dëmtim të rëndë të strukturës së kanalit, ndërprerje të furnizimit me ujë të pijshëm dhe rrezikim të prodhimit të energjisë elektrike. Dëmi i shkaktuar ndaj ndërmarrjes “Ibër Lepenc” vlerësohet në 376,774.70 euro.
Me këto veprime, Prokuroria vlerëson se dy të pandehurit kanë kryer veprën penale të rrezikimit të rendit kushtetues në lidhje me kryerjen e veprës terroriste.
J.V., D.V. dhe I.D. ngarkohen gjithashtu me veprën armëmbajtje pa leje.
Ndërkohë, J.V. akuzohet veçmas edhe për spiunazh. Sipas aktakuzës, ai ka vepruar si i rekrutuar në Shërbimin Informativ Ushtarak të Serbisë, në cilësinë e togerit, duke mbledhur informacione dhe dokumente të klasifikuara me qëllim përdorimin e tyre në aktivitete të kundërligjshme në territorin e Kosovës.
Autoritetet e Kosovës asokohe patën konstatuar se sulmi përbën “akt terrorist”. Serbia, siç rëndom, nuk e pranoi lidhjen me sulmin.