Arbëri

Aksion policor në Ferizaj, 12 gjoba për ngasje të veturës në gjendje të dehur

Një aksion në qytetin e Ferizajt është ndërmarrë pas mesnatës së kaluar, nga Policia e Kosovës, në bashkëpunim me Njësinë Speciale. Ata kanë shqiptuar dhjetëra gjoba, për ngasje të veturës nën ndikimi e alkoolit, por edhe tejkalim të shpejtësisë.

“Sonte kemi një plan dhe me vetë faktin që e kemi këtë plan, jemi prezentë këtu. E kemi planin operativ ‘Alkooli 2022’. Nuk është hera e parë që punojmë me plane të tilla, për juve nuk është një risi, që nuk është e njohur”.

Kështu filluan përgatitjet e Policisë së Kosovës në Ferizaj, mesnatën e kaluar, në kuadër të një aksioni policor për parandalimin e dukurive negative në komunikacion. Ekipet, pas përgatitjeve dhe marrjes së detyrave, u nisën me vetura për në terren, të përkrahur edhe nga Njësia Speciale.

“Ata do ta mbështesin këtë operacion do të kontrollojnë edhe automjetet dhe personat, njëkohësisht do të verifikojnë edhe personat në rast se janë të kërkuar me urdhëresa të gjykatave, atë do ta bëjmë përmes qendrës së komunikimit, ndihma e kontrollave”, ka thënë zëdhënësi i Policisë në Ferizaj, Kanun Veseli.

“I nderuar urdhëro dokumentet, e ke një fletëparaqitje për mosregjistrim të automjetit në vlerë prej 150 eurosh. Në afat prej 15 ditësh e paguan 50 për qind”.

Zëdhënësi Veseli ka bërë të ditur se aksioni do të vazhdojë edhe gjatë ditëve në vazhdim.

“Policia e komunikacionit rrugor ka shqiptuar diku rreth 12 gjoba për vozitësit të cilët kanë drejtuar automjetet e tyre nën ndikim të alkoolit. Operacioni po vazhdon, ka pasur edhe kundërvajtje të tjera si pa regjistrim të automjeteve e kundërvajtje që janë në kundërshtim me rregullat dhe ligjet e komunikacionit rrugor”, ka njoftuar ai.

Shoferët e gjobitur për ngasje nën ndikim të alkoolit, krahas dënimit është dashur të sigurojnë një shofer për t’ua drejtuar automjetin, në mënyrë që vetura të mos u konfiskohet nga Policia.